Shqipëria Postuar më 15 Maj 2026, 11:34

29.3 mln euro nga shitja e energjisë/ Janar-prill, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare zhvillon dhjetra procedura

Nga Ola Mitre

29.3 mln euro nga shitja e energjisë/ Janar-prill, Korporata

4-mujori i parë i vitit ka rezultuar pozitiv në drejtim të prodhimit të energjisë, duke bërë që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare të zhvillojë disa procedura shitjeje, duke gjeneruar të ardhura për kompaninë.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESH, në total janë zhvilluar 14 procedura, përmes të cilave janë shitur gati 480 mijë mWh energji, me çmime që variojnë nga 17.6 euro/mWh, që është më i ulti, në 109.75 euro/mWh, që është çmim më i lartë. Çmimi mesatar rezulton në 59 euro/mWh, ndërkohë që në total janë siguruar gati 29.3 mln euro. 

Ndërkaq, sipas një raporti të publikuar pak javë më parë nga Komuniteti i Energjisë, një faktor që ka ndikuar në këtë performancë është edhe fakti që, kjo energji nuk i nënshtrohet kostove shtesë të mekanizmit të ri europian për karbonin (CBAM), duke i dhënë Shqipërisë një avantazh krahasuar me vendet që prodhojnë energji nga qymyri.

Proceduart e zhvilluara deri më tani paraqesin një kontrast të fortë me vitin e kaluar, që nuk ishte i mirë nga pikëpamja e energjisë elektrike.

Kjo për shkak të mungesës së reshjeve, që do të mundësonin prodhimin në hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, duke detyruar Korporatën të zhvillonte dhjetra procedura blerje energjie, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore.

Kjo bëri që fatura totale për import energjie të shkonte në mbi 160 mln euro, duke nxjerrë edhe njëherë në pah rëndësinë që ka diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë.

 

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat