Shqipëria Postuar më 16 Korrik 2025, 13:25

Ekskluzive/ Cilat janë subjekte në “shënjestër” për faturat? - Binaj: Aksioni do të shtrihet në të gjithë vendin, synohet rritja e sigurisë ushqimore

Nga Elisabeta Dosku

Ekskluzive/ Cilat janë subjekte në “shënjestër”
Administrata tatimore ka nisur një aksion në terren për t’u siguruar që të gjitha produktet bujqësore dhe blegtorale në vend, të blihen me faturë.  Në një intervistë ekskluzive për gazetaren Elisabeta Dosku në SCAN TV,  Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, ka sqaruar se cili është qëllimi aksionit për lëshimin e faturave në lidhje blerjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe ku do të shtrihet ai.

Doja që të sqaroja në lidhje me këtë aksion për faktin se ka pasur një lloj konfuzioni se kush janë subjektet e kontrolleve tona.

Cilat subjekte përfshihen në këtë kontroll?

Patjetër që të gjitha subjektet që ne nxjerrim për kontroll dalin pas një analize risku, pra duke parë xhiron, çfarë produktesh shesin, e kështu me radhë dhe subjektet nuk janë asnjëherë fermerët, nuk janë as tregtarët ambulantë, por janë vetëm bizneset të cilat tregtojnë këto lloj produktesh.  Duhet kuptuar kush është përgjegjësia e çdo aktori në zinxhirin ushqimor për produktet bujqësore dhe blegtorale që prodhohen në Shqipëri. Pra, fermeri kur prodhon një produkt dhe dëshiron t’ia shesë një grumbulluesi apo një marketi, apo një restoranti, apo një hoteli, nuk ka detyrim për të lëshuar faturë apo qoftë edhe blegtori, por faturën duhet ta lëshojë ai që e blen, që mund të jetë marketi, grumbulluesi apo restoranti, pra duhet t’i bëjë vetes një autofaturë. Me lëshimin e kësaj autofature, e cila ka emrin e fermerit i cili shet produktet, në këtë moment këto lloj produktesh futen në sistemin fiskal, pra regjistrohen si të tilla dhe në këtë moment kemi dhe një gjurmueshmëri, nga kush i krijoi këto produkte dhe kush i shiti. Më tej pastaj, zinxhiri vazhdon që nga grumbullues,i mund të shkojë dhe të shiten tek një tregtar ose mundet të shkojnë dhe për eksport. Dhe ky është edhe qëllimi ynë, që të fillojë të shtohet ky lloj autofaturimi nga bizneset të cilat blejnë produkte bujqësore apo blegtorale nga fermerët apo blegtorët tanë.  Kjo do jetë, në kuptimin tonë, një përmirësim i sigurisë ushqimore dhe një formalizim më i lartë i tregut.

Pra dhe nëse këto struktura që përmendët ju e blejnë tek grumbulluesit dhe jo tek fermerët direkt, duhet të ndjekin të njëjtën procedurë..

Atëherë, grumbulluesi në këtë rast është një biznes dhe në këtë kuptim ai e shet me faturat që ai disponon brenda sistemit tonë fiskal, pra grumbulluesi kur shet, lëshon faturën e tij dhe ajo është faturë blerjeje për marketet apo për subjektet e tjera që përdorin këto lloj produktesh. Pra autofatura, vlen vetëm për fermerët apo për blegtorët, jo për subjekte të tjera. Ne kemi në sistemin tonë tatimor të regjistruar rreth 100 mijë fermerë të cilëve është mundësia t’u lëshohet autofaturë për produktet që ata u shesin grumbulluesve apo subjekteve të tjera tregtare që nuk janë grumbullues.

Çdo aksion shoqërohet me një lloj frike për fermerët të cilët nuk janë të mirëinformuar me procedurat tatimore, me ligjin.. A duhet t’i tremben fermerët e thjeshtë këtij aksioni apo për ata nuk ndryshon asgjë?

Qëllimi ynë nuk është asnjëherë që të trembim askënd, as qytetarët, as tregtarët, por është thjeshtë gjithmonë pjesa për të edukuar apo për të zbatuar ligjin  kështu që në këtë rast për fermerët, por qoftë edhe për bizneset e tjera, ata nuk duhet të kenë frikë, por duhet të fillojnë të zbatojnë ligjin nëse nuk e kanë zbatuar deri më tani, apo kanë menduar që mund të shpëtojnë pa u kapur nga organet ligjzbatuese.  Në rastin e fermerëve, sikurse sqarova, ata nuk kanë asnjëlloj detyrimi në lidhje me lëshimin e faturave por duhet të marrin autofaturat që lëshon ai që i blen në mënyrë që të dokumentojnë blerjet e tyre.  Por sido që të jetë, në fund të ditës, kontrollet tona do të lidhen vetëm me subjekte të cilat blejnë nga ata, pra që mund të jenë grumbullues, thertore, mund të jenë tregtarë, restorante etj, pra këto lloj subjektesh të cilat i blejnë nga fermerët produktet e tyre dhe për një arsye apo për një tjetër, gjatë kësaj periudhe nuk kanë lëshuar autofaturën për produktet që kanë blerë.

Ku janë “vatrat” më të nxehta, pra flasim për strukturat hoteliere në zonat bregdetare apo ka një shtrirje të njëtrajtshme në të gjithë Shqipërinë të këtij aksioni?

Në nuk është se i ndajmë me vatra të nxehta apo jo të nxehta, për ne janë të gjithë subjekte. Patjetër që volumi më i madh i transaksioneve dhe biznesit është i përqendruar në zonën e Tiranës dhe patjetër edhe numri i kontrolleve që ne do ushtrojmë do jetë më i lartë në Tiranë dhe më i ulët në rrethet e tjera për faktin se këtu është përqendruar pjesa me e madhe e transaksioneve që lidhen me këto lloj produktesh.

A do të ketë një datë përfundimtare të këtij aksioni apo do jetë në vijim dhe cilat janë rezultatet që parashikoni të merrni në fund të tij?

Rezultatet janë një edukim më i madh i të gjithë aktorëve në zinxhirin ushqimor, të qytetarëve, të tregtarëve, të grumbulluesve, dhe të fermerëve, pra që të rritet një shkallë më e lartë formalizimi. Një datë për aksionin se kur mbyllet, ne nuk kemi,  për faktin se jemi duke parë ecurinë dhe rezultatet. Patjetër që këto lloj kontrollesh marrin kohën e tyre dhe kësaj radhe jemi përpjekur që ti bëjmë sa më të thella dhe sa më cilësore. Të gjitha kontrollet që u ushtruan dje patën problematikë të mallrave pa faturë, pothuajse të gjithë kishin këtë lloj problematike, pra nuk ishin në gjendje të provonin origjinën e mallrave që dispononin nëpër dyqanet apo pikat e shitjes së tyre, kështu që për këtë arsye nuk i kemi vendosur vetes një afat, kontrolli do vazhdojë deri sa ne të ezaurojmë kriteret tona të riskut dhe të kuptojmë që kemi një përmirësim të situatës në lidhje me zinxhirin ushqimor.

Dhe cilat janë penalitetet që rrezikojnë në këtë rast subjektet që vijojnë të kapen pa faturat përkatëse?

Penalitetet janë të përcaktuara në ligjin e procedurave tatimore, pra janë penalitete për mallrat pa faturë dhe penalitete që lidhen për moslëshimin e faturës tatimore dhe pastaj kur kjo vazhdon përsëritet, vazhdojnë penalitete të tjera përsëri për moslëshim fature pastaj mund të kesh dhe rivlerësime të xhiros e kështu me radhë. Por le të mos flasim për penalitete, le të flasim për edukimin dhe përmirësimin e sjelljes të të gjithë aktorëve në zinxhirin ushqimor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat