Shqipëria Postuar më 16 Korrik 2025, 12:20

6.4 milionë euro nga taksa e fjetjes në hotel - Fluksi i turistëve rrit të ardhurat për bashkitë në vend

Nga Elisabeta Dosku

6.4 milionë euro nga taksa e fjetjes në hotel - Fluksi i

Rritja e numrit të turistëve në Shqipëri ka sjellë edhe më shumë të ardhura në buxhetin e bashkive, pavarësisht se informaliteti në strukturat akomoduese në vend vijon të mbetet një shqetësim i vazhdueshëm.

Referuar të dhënave nga raporti i financave vendore për vitin 2024,  të ardhurat nga taksa e fjetjes në hotel janë rritur në mënyrë progresive, por potenciali është më i lartë.

Konkretisht në vitin 2024 të ardhurat nga kjo taksë regjistrohen në 6.4 milionë euro  me një kapërcim prej 53% në raport me vitin 2023, apo 2.3 milionë euro.

Ndërsa nëse do ta krahasojmë me vitin 2020, rritja është afro 5.1 milionë euro apo disa herë me e lartë. Të ardhurat nga kjo taksë zënë 1 % të totalit të të hyrave buxhetore të pushtetit vendor.

Baza e tatueshme për fjetje në hotel është çmimi që paguhet për fjetje, i cili mund të shprehet si çmimi për dhomë ose çmim për person/natë. Niveli i taksës është deri në 5% të pagesës për fjetje. Ky detyrim tatimor llogaritet duke shumëzuar nivelin e taksave të miratuar nga bashkia, me tarifën e fjetjes për një natë, sipas netëve të fjetjes në hotel. Fatura e lëshuar nga hoteli përfshin tarifën e fjetjes dhe vlerën e taksës.

Llogaritja e kësaj takse, bazuar në legjislacionin në fuqi, bëhet sipas ndarjes në dy kategori: Subjekte Hoteleri me 4 – 5 yje dhe Subjekte Hotele, Bujtinë, Fjetinë, Motel dhe çdo njësi tjetër akomoduese sipas përcaktimeve të ligjit për turizmin në fuqi. Zakonisht varion nga 35 – 350 lekë/ natë/ person, në varësi të vendndodhjes së bashkisë. Kjo taksë paguhet nga klienti dhe mblidhet nga struktura akomoduese, e cila më pas e transferon tek bashkitë.

Një problem shqetësues në sektorin e turizmit është informaliteti, i cili shfaqet në forma të ndryshme si mosregjistrimi i strukturave akomoduese apo kapaciteteve reale, mosdeklarimi i netëve të qëndrimit apo deklarimi i numrave fiktivë.

Për të luftuar evazionin fiskal dhe mospërputhjen midis numrit të turistëve dhe shitjeve, qeveria së fundmi ka miratuar një vendim sipas  të cilit, strukturat akomoduese duhet të deklarojnë jo më pak se 65 % shitje të kapaciteteve që kanë përgjatë periudhës 1 maj-30 shtator dhe jo më pak se 30 % nga periudha 1 tetor- 30 prill.

Nga ana tjetër, të dhënat nga tregu i strukturave akomoduese me qira afatshkurtër tregojnë aktualisht në platforma të ndryshme rezervimi, figurojnë mbi 18 200 njësi me qira afatshkurtër aktive.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat