Analiza Postuar më 16 Korrik 2025, 11:09

Nga vizitat e të afërmve, te pushimet! Si ka ndryshuar qëllimi i udhëtimeve të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit?

Nga Xhorxhina Deda

Nga vizitat e të afërmve, te pushimet! Si ka ndryshuar qëllimi i

Nga periudha para pandemisë dhe deri në vitin 2024, mënyra se si shqiptarët udhëtojnë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ka pësuar ndryshime domethënëse. Pushimet dhe koha e lirë kanë marrë përparësi të ndjeshme në krahasim me udhëtimet për vizita te të afërmit apo për qëllime biznesi, veçanërisht pas vitit 2020.

Në vitin 2017-të, vetëm 24.2% e udhëtimeve brenda vendit dhe 30.9% e atyre jashtë vendit kishin për qëllim pushimet. Deri në vitin 2024, këto shifra janë rritur ndjeshëm, ku 54.1% e udhëtimeve brenda vendit dhe 47.2% jashtë ishin për pushime.

Rritja është më e dukshme nga viti 2019-të e tutje, duke reflektuar ndoshta një rritje të standardit të jetesës, por edhe nevojën për relaksim pas pandemisë së COVID-19.

Ndërkohë, vizitat te të afërmit dhe miqtë kanë shënuar një rënie të ndjeshme edhe pse vijojnë të kenë një peshë të konsiderueshme. Në vitin 2017-të, këto udhëtime përbënin 58.2% të udhëtimeve brenda vendit dhe 46.6% jashtë. Në vitin 2024, kjo përqindje ka rënë në 41.1% për ato brenda dhe 46.1% për ato jashtë.

Kjo rënie tregon një zhvendosje të fokusit nga udhëtimet familjare drejt atyre për kohë të lirë. Megjithatë, vizitat familjare jashtë vendit mbeten të qëndrueshme, çka mund të pasqyrojë faktin që shumë shqiptarë kanë të afërm emigrantë.

Udhëtimet për biznes kanë pasur një rënie drastike. Nga 9.6% në vitin 2017-të brenda vendit dhe 13.8% jashtë, në vitin 2024 këto udhëtime përbëjnë vetëm 1.7% brenda dhe 3.0% jashtë.

Ky transformim në qëllimet e udhëtimit tregon më shumë sesa thjesht ndryshime statistikore, ai pasqyron ndryshime në stilin e jetës, mundësitë ekonomike, dhe përparësitë kulturore të shqiptarëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat