Shqipëria Postuar më 16 Korrik 2025, 11:22

Italianët po e gëzojnë pensionin në Shqipëri - INPS: Paguam 13 mln euro vetëm në një vit

Nga Hamit Yzeiraj

Italianët po e gëzojnë pensionin në Shqipëri - INPS:

Ndërsa vendet tradicionale si Portugalia dhe Spanja po e humbasin gradualisht statusin e parajsave fiskale për pensionistët italianë, Shqipëria po fiton terren si një alternativë e re dhe befasuese për italianët, të cilët duan të jetojnë vitet e pleqërisë me më pak, ose pa taksa dhe më shumë qetësi.

Sipas të dhënave zyrtare nga INPS, Instituti Kombëtar Italian i Sigurimeve Shoqërore, Shqipëria ka kaluar nga vetëm 10 pensionistë italianë në vitin 2019, në 100 të tillë në vitin 2023. Një rritje dhjetëfish në vetëm katër vjet, që nuk është rastësore.

Që nga viti 2021, të gjithë pensionistët e huaj që transferohen në Shqipëri përfitojnë nga përjashtimi i plotë nga tatimi mbi të ardhurat nga pensioni. Ndryshe nga shumë vende të tjera ku taksat mbi pensionet mbeten të larta, Shqipëria ka krijuar një mjedis fiskal jashtëzakonisht mikpritës.

Përveç kësaj, kostoja e jetesës në Shqipëri është ndër më të ulëtat në Europë, me çmime të favorshme për strehim, shërbime shëndetësore dhe ushqim. Kjo u mundëson pensionistëve që marrin një pension modest në Itali të kenë një fuqi blerëse shumë më të lartë dhe të gëzojnë një standard jetese që ndoshta nuk do ta kishin pasur në vendin e tyre.

Në vitin 2023, shuma totale e pensioneve të paguara nga INPS në Shqipëri arriti në 13 milionë euro, me një pension mesatar mujor prej 2,348 euro.

Ndërkohë, Portugalia, e cila për shumë vite ishte destinacioni numër një për pensionistët italianë, ka hequr përfitimet fiskale, ndërsa Spanja dhe Franca po përballen me kosto në rritje të jetesës dhe politika tatimore më të ashpra.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat