Shqipëria Postuar më 16 Korrik 2025, 13:02

Yield-i i bonove 12-mujore, “në rënie të lirë” - Ulja e normës bazë të interesit ndikoi në tkurrjen e tij në ankandin e fundit

Nga Ledina Elezi

Yield-i i bonove 12-mujore, “në rënie të lirë” -

Norma mesatare e interesit të bonove të thesarit me maturim 12-mujor ka regjistruar një tjetër rënie. Në ankandin e zhvilluar këtë javë, yeld-i mesatar i ponderuar zbriti në 2,68% nga 2.76% që ishte në fund të muajit qershor. Kështu, yeld-i arrin fare pranë normës bazë të interesit prej 2.50%.

Vendimi i Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit në 2.50% nga 2.75% që ishte më parë, jep ndikimin e tij në rënien e mëtejshme të yield-it të bonove 12-mujore, duke qenë më i ulëti që nga viti 2022.

Për sa i përket kërkesës së investitorëve, të dhënat tregojnë se ka qenë e lartë. E thënë ndryshe, kërkesa e tyre për pjesëmarrje ka qenë më e madhe se shuma e shpallur për financim.

Konkretisht, shuma e shpallur  për financim ishte 7.8 miliardë lekë, ndërsa vlera totale e kërkesave në ankand arriti mbi 8.9 miliardë lekë. Megjithatë, shuma e pranuar nga Ministria e Financave rezulton më e ulët, vetëm 7.7 miliardë lekë.

Niveli i ulët i interesit të bonove nënkupton edhe kosto më të lira për kredinë në lekë, e cila ndikon në zgjerimin e huadhënies bankare. Nga ana tjetër, qeveria mund të financojë borxhin e brendshëm me kosto më të lirë.

Yield-i është interesi vjetor që mbajtësi i bonove do të marrë gjatë afatit të tij deri në maturim. Yield-i i bonove të thesarit 12-mujore i referohet kthimit që një investitor realizon nga një investim në një instrument të tillë. Yeld-i përputhet me normën e kuponit të bonos kur ai lëshohet, megjithëse yeld-i shpesh ndryshon ndërsa bonot janë në qarkullim. Yield-i aktual është norma e kuponit të bonos e pjesëtuar me çmimin e tij të tregut.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat