Analiza Postuar më 16 Korrik 2025, 12:34

Maji shënon rekorde për turizmin/ Vizitorët në vend u rritën me 31.8%, kryesojnë shqiptarët e Kosovës

Nga Eldiona Serani

Maji shënon rekorde për turizmin/ Vizitorët në vend u

Gjatë muajit maj 2025, turizmi në Shqipëri ka shënuar rritje të ndjeshme, duke reflektuar lulëzimin e vazhdueshëm të këtij sektori në vend. Gjithnjë e më shumë, Shqipëria po konsolidohet si një destinacion i preferuar turistik, si për vizitorët vendas ashtu edhe për ata të huaj.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë muajit maj, i cili përkon me fillimin e sezonit turistik, numri total i vizitorëve që kanë qëndruar në strukturat akomoduese në Shqipëri është rritur me 31.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave, vizitorët rezidentë shënuan një rritje prej 36.6%, ndërsa vizitorët jo-rezidentë (të huajt) u rritën me 19.6%, duke përforcuar më tej idenë se turizmi ndërkombëtar po bëhet një shtyllë gjithnjë më e rëndësishme për ekonominë vendase.

Sa i përket numrit të netë-qëndrimeve, ato u rritën gjithsej me 31.5%. Zonat bregdetare regjistruan rritjen më të madhe të vizitorëve të huaj, me 47.6% më shumë krahasuar me majin e vitit të kaluar, ndërsa hotelet dhe strukturat e tjera të ngjashme patën një rritje të vizitorëve prej 38.5%.

Nga të dhënat rezulton se rajoni Qendror vijon të jetë më i vizituari nga shtetasit e huaj, me rreth 125 mijë të tillë gjatë muajit maj. Rajoni Jugor gjithashtu shënoi një numër të konsiderueshëm, duke pritur rreth 71 mijë vizitorë jo-rezidentë. Ndërkohë, rajoni Verior mbetet me numrin më të ulët të vizitorëve të huaj, por gjithsesi ka përjetuar një dyfishim të tyre krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke dëshmuar për një zgjerim gradual të turizmit në të gjithë territorin.

Sa i përket prejardhjes së vizitorëve jo-rezidentë, në krye të listës qëndron Kosova me 15%, ndjekur nga Italia me 13% dhe Gjermania me 9%. Polonia dhe Franca kontribuan përkatësisht me nga 8%, ndërsa 47% e vizitorëve vijnë nga vende të tjera

Përmirësimi i performancës së strukturave të akomodimit reflektohet edhe në normën e shfrytëzimit të dhomave në hotele, e cila arriti në 28.7% në maj 2025, krahasuar me 25.1% në majin e vitit të kaluar. Kjo rritje e ndjeshme dëshmon për një sezon që ka nisur fuqishëm dhe për pritshmëri pozitive për muajt në vijim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat