Shqipëria Postuar më 14 Janar 2025, 13:52

Biokarburantet në Shqipëri, rreth 50% më lirë - Projektligji, në Kuvend: Do të përjashtohen nga taksat dhe tarifat

Nga Ola Mitre

Biokarburantet në Shqipëri, rreth 50% më lirë -

Të paktën 1% e karburantit të tregtuar gjatë vitit 2025 do të jetë bio. Projektligji “Për prodhimin, transportin, tregtimin dhe përdorimin e biokarburanteve dhe lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme për transport”, i cili përcakton për herë të parë sasitë minimale vjetore në treg të biokarburanteve, ka mbërritur në Kuvend, duke i hapur rrugë miratimit të tij.

Sipas dokumentit përqindja e biokarburanteve në mishelën e karburanteve propozohet te rritet gradualisht me nga 1% për çdo vit, për të arritur në 7% në vitin 2030.

Ndërkaq, projektligji parashikon që biokarburantet që do tregtohen në vendin tonë do kushtojnë rreth 82.68 lekë/litër më lirë se karburantet e tjerë në treg apo rreth 50% më lirë. Kjo pasi do të përjashtohet nga taksat dhe tarifat, me qëllim konkurrimin me çmimin dhe rritjen e konsumit.

Sipas relacionit shoqërues, biokarburantet dhe lëndët e tjera djegëse të rinovueshme për transport, do të përjashtohen nga akciza prej 38.9 lekë/litër, nga taksa e qarkullimit prej 27 lekë/litër, si dhe nga taksa e karbonit prej 3 lekë/litër.

Ndërkohë që, për totalin e tyre përfitohet edhe nga mosaplikimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar prej 20% apo 13.78 lekë/litër.  

Për vitin 2025, detyrimi për 1% biokarburant i korrespondon një sasi prej 6,400 ton, sipas Bilancit Energjetik të vitit 2021 mbi konsumin e lëndëve djegëse nga sektori i trasportit, ku janë bazuar përllogaritjet e qeverisë. Kjo do të thotë se për vitin 2025 të ardhurat buxhetore do të ulen me 661 mln lekë.

Ndërkaq, një pikë tjetër e projektligjit është krijimi i politikave nxitëse për kultivimin e bimëve energjetike në Shqipëri, për të mbrojtur mjedisin nëpërmjet respektimit të kritereve të qëndrueshmërisë për prodhimin e biokarburanteve, biolëngjeve dhe biogazeve sipas direktivës së Parlamentit Evropian të amenduar në vitin 2023.

Sipas ekspertëve, ndër speciet bimore që mund të përdoren për prodhimin e biokarburanteve janë: Soja, misri, kallami i sheqerit, luledielli, eukalipti, palmat, etj.

 

Live TV

Të fundit
Shqipëria 16 Shkurt Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan nuk ka regjistruar luhatje të konsiderueshme për gjatë kësaj fundjave teksa është blerë këtë mëngjes me 80.8 lekë dhe është shitur me 81.8......

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Shqipëria 16 Shkurt Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan nuk ka regjistruar luhatje të konsiderueshme për gjatë kësaj fundjave teksa është blerë këtë mëngjes me 80.8 lekë dhe është shitur me 81.8......