Shqipëria Postuar më 10 Shtator 2026, 19:37

Arsimi profesional bujqësor, ministri Andis Salla fton të rinjtë që të regjistrohen

Nga SCAN TV

Arsimi profesional bujqësor, ministri Andis Salla fton të rinjtë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vizitoi Shkollën Profesionale Bujqësore të Golemit, nga ku u bëri thirrje të rinjve që të zgjedhin arsimin profesional dhe të aplikojnë për t’u bërë pjesë e shkollave profesionale në të gjithë vendin.

Gjatë vizitës, Ministri Salla u takua me Harunin, agronom i diplomuar në këtë shkollë në vitin 1984, i cili prej shumë vitesh vijon të kontribuojë në të, duke dëshmuar traditën dhe rolin që shkolla ka pasur ndër vite në formimin e profesionistëve të sektorit bujqësor.

“Jam në Shkollën Profesionale Bujqësore të Golemit bashkë me Harunin, një agronom i cili ka mbaruar shkollën në vitin 1984 dhe sot vijon të kontribuojë këtu. Dua t’i ftoj të gjithë nxënësit që duan të regjistrohen në shkollat profesionale, të bëhen pjesë e Shkollës Profesionale Bujqësore të Golemit, por edhe të shkollave profesionale në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Ministri Salla.

Duke iu referuar procesit të regjistrimeve, Salla rikujtoi se 30 shtatori është afati i fundit për aplikimin dhe regjistrimin, duke ftuar të rinjtë të shfrytëzojnë mundësinë për të fituar një profesion dhe për t’u përgatitur për tregun e punës.

 

Postimi i ministrit Salla

Nga Shkolla Profesionale Bujqësore “Charles Telford Erickson” në Golem, një shkollë që ndër vite ka përgatitur breza profesionistësh për bujqësinë shqiptare. Edhe sot, ish-nxënës të saj si Haruni, agronom i diplomuar në vitin 1984, vijojnë të kontribuojnë në këtë shkollë, duke dëshmuar vlerën e një profesioni që të shoqëron gjatë gjithë jetës.

Një thirrje për të rinjtë që duan të zgjedhin një profesion me perspektivë, regjistrimet vijojnë në shkollat profesionale bujqësore:

• “Rakip Kryeziu”, Fier

* “Mihal Shahini”, Cërrik

* Shkolla e Mesme Profesionale Kamëz

* Shkolla Profesionale Shërbime, Korçë

* “Ndre Mjeda”, Bushat

* “Charles Telford Erickson”, Golem

Apliko në e-Albania deri më 30 shtator, përmes shërbimit “Regjistrohu në klasën e dhjetë”, dhe bëhu pjesë e brezit të ri të profesionistëve të bujqësisë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat