Shqipëria Postuar më 14 Janar 2025, 11:08

Hyn në treg një kompani e re sigurimi - Arrin në 5 numri i shoqërive të jetës. Kjo kategori sjell vetëm 8% të totalit të primeve

Nga Ledina Elezi

Hyn në treg një kompani e re sigurimi - Arrin në 5 numri i

Një kompani e re e sigurimit të jetës është futur në tregun shqiptar. Në muajin dhjetor, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi kërkesën e shoqërisë “Vienna Life Insurance”- “Vienna Sigurim Jetë” sh.a. për të ushtruar veprimtari sigurimi në klasat e jetës në vendin tonë. Kjo kompani rezulton të jetë regjistruar si biznes në 18 korrik të vitit të kaluar.

Pavarësisht se kjo shoqëri është licencuar tashmë, ajo nuk e ka filluar akoma operimin, pra nuk ka nisur me lëshimin e policave të sigurimit.

Me futjen e kësaj kompanie të re në treg, numri i shoqërive të sigurimit të jetës ka arritur në 5. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se aktualisht Sigal Life Uniqa Group Austria zotëron 41% të tregut të jetës, Albsig Jeta gati 25%, Insig Jeta 20% dhe Sicred 14%.

Nga ana tjetër, në Shqipëri operojnë 8 kompani të sigurimit të jo jetës. Megjithëse është shtuar një kompani e re që do të ofrojë shërbimin e sigurimit të jetës, tregu do të vijojë të dominohet nga sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 91.78% të vëllimit të përgjithshëm të primeve në periudhën janar-nëntor, ndërsa sigurimet e jetës kanë 8.19% dhe risigurimi me 0.032%.

Sigal Uniqa Group Austria përbën 26% të tregut të jo-jetës, Albsig thuajse 20%, Eurosig 13.5%, Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group 12%, ndërsa kompanitë e tjera zotërojnë një përqindje më të vogël.

Në 11 muaj të ardhurat e kompanive nga primet e sigurimit të jetës arritën në 1.8 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat e kompanive nga primet e sigurimit të jo-jetës arritën në 20 miliardë lekë.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat