Shqipëria Postuar më 11 Mars 2026, 10:23

Analiza/ Çdo 1 euro e turizmit gjeneron deri 2.8 euro në ekonomi - “Turizmi përtej plazhit”, Pse çdo turist vlen më shumë se sa duket?

Nga Ernilda Luzi

Analiza/ Çdo 1 euro e turizmit gjeneron deri 2.8 euro në ekonomi -

Turizmi në Shqipëri nuk është më vetëm çështje plazhesh të mbushura dhe hotelesh plot gjatë sezonit veror. Një analizë e fundit e publikuar nga ALTAX tregon se ndikimi real i këtij sektori shkon shumë përtej industrisë së drejtpërdrejtë turistike, duke u kthyer në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit.

Sipas raportit të World Travel & Tourism Council (WTTC) për vitin 2025, multiplikatori ekonomik i turizmit në Shqipëri arrin në 2.6–2.8 herë. Kjo do të thotë se çdo 1 euro e shpenzuar nga turistët gjeneron edhe 1.6–1.8 euro shtesë në ekonomi. Nga rreth 5.5 miliardë euro shpenzime direkte turistike gjatë vitit 2025, ndikimi total ekonomik vlerësohet të arrijë në 14.3–15.4 miliardë euro. Në këtë mënyrë, turizmi kontribuon rreth 26.4% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, duke u renditur si sektori me ndikimin më të madh në ekonominë shqiptare.

Sipas analizës, ndikimi i madh i turizmit lidhet me efektet indirekte dhe të induktuara që krijon në ekonomi. Efektet indirekte, të lidhura me zinxhirin e furnizimit gjenerojnë rreth 4.6–5.4 miliardë euro. Kjo do të thotë se turizmi mbështet një gamë të gjerë aktivitetesh ekonomike, duke përfshirë fermerët në Lushnjë, Fier, Dibër; peshkatarët në Vlorë, Durrës dhe Lezhë, si dhe sektorin e ndërtimit dhe të shërbimeve në Tiranë dhe zonat turistike.

Ndërkohë, efektet e induktuara, që lidhen me shpenzimet e punonjësve të sektorit shtojnë edhe 4.0–4.9 miliardë euro të tjera në ekonomi. Këto shpenzime përkthehen në konsum më të lartë në supermarkete, dyqane, bare, restorante dhe shërbime të tjera në të gjithë vendin.

Në aspektin e punësimit, turizmi gjeneron rreth 274–278 mijë vende pune direkte, ndërsa edhe 120 mijë deri në 207 mijë vende të tjera pune lidhen në mënyrë indirekte me sektorin në fusha si bujqësia, tregtia, transporti dhe energjia.

Sipas analizës së ALTAX, krahasimi rajonal tregon se Shqipëria qëndron mirë, me 2.6-2.8x, pranë Greqisë dhe Kroacisë (2.7-2.9x), por pas Malit të Zi (2.9-3.1x) dhe mbi Bullgarinë (2.4-2.6x).

Megjithatë, analiza thekson se potenciali i turizmit mbetet edhe më i madh. Po kështu, sezonaliteti mbetet një sfidë, pasi rreth 75–80% e aktivitetit turistik përqendrohet në vetëm 4–5 muaj të vitit.

Sipas ALTAX, nëse këto kufizime adresohen përmes politikave që nxisin prodhimin vendas dhe zgjerimin e sezonit turistik, multiplikatori ekonomik mund të rritet në 3.0–3.2 herë. Kjo do të sillte edhe 2–3 miliardë euro shtesë në ekonomi.

Në këtë mënyrë, turizmi po shfaqet gjithnjë e më shumë si një forcë që lidh sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe rajone të ndryshme të vendit. Sipas analizës, kjo e bën turizmin një element kyç në transformimin ekonomik të vendit dhe një nga shtyllat e modelit të ri të zhvillimit të quajtur “Shqipëria 2.0”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat