Kosovë, Ferronikeli pas 20 vitesh privatizim: 80 punëtorë, zero prodhim

Nga rreth 700 punëtorë aktivë, kompania për prodhimin dhe përpunimin e nikelit dhe produkteve të tij, Ferronikeli i Kosovës, sot numëron vetëm 80 të punësuar në administratë, ndërsa makineritë e prodhimit janë plotësisht të ndalura prej kohësh. Dikur një nga shtyllat kryesore të industrisë metalurgjike dhe ekonomisë së Kosovës, kompania që eksportoi produkte në vlerë mbi 80 milionë euro vetëm në vitin 2020, sot përballet me një realitet të zymtë: prodhim zero, kontrata të ndërprera dhe pritje për kushte më të favorshme tregu.
Që nga privatizimi i saj, kanë kaluar dy dekada, por rimëkëmbja vazhdon të mbetet sfidë.
Nga simbol ekonomik në kompleks pothuajse të boshatisur
Ferronikeli, i vendosur në qytetin e Drenasit - rreth 34 kilometra nga Prishtina - ishte për vite me radhë simbol i fuqisë industriale të Kosovës. Sot, kompleksi industrial duket pothuajse i boshatisur. Shumica e punëtorëve kanë mbetur pa kontrata pune, ndërsa prodhimi është ndalur tërësisht. Zyrtarë të kompanisë shprehen optimistë se makineritë do të ndizen sërish, por kur kushtet e tregut, sipas tyre, të jenë më të favorshme. Ata thonë se kompania mbetet e përkushtuar për rikthimin e prodhimit dhe se, edhe gjatë periudhës së ndaljes, janë realizuar investime prej miliona eurosh në teknologjinë e prodhimit dhe mbrojtjen e mjedisit, për të qenë të gatshëm në momentin e rihapjes.
Pse u ndal prodhimi?
Sipas Shpend Gudaqit, udhëheqës i zyrës për ndërlidhje me komunitetin dhe marrëdhënie me publikun në kompaninë NeëCo Ferronikeli Complex, faktorët kryesorë që çuan në ndaljen e prodhimit lidhen me tregjet ndërkombëtare. “Gjatë viteve të fundit, çmimi i nikelit në bursat ndërkombëtare dhe çmimi i energjisë elektrike në tregjet evropiane kanë qenë të pafavorshme për prodhim të qëndrueshëm në fabrikë”, thotë ai.
Për pasojë, kompania ka qenë e detyruar të ndërmarrë masa drastike për uljen e kostove.
“Një nga vendimet më të rëndësishme ishte fikja e furrës elektrike në mars të vitit 2025, për të zbutur koston e lartë të energjisë elektrike”, shpjegon Gudaqi. Ferronikeli shpenzon deri në 420 mijë megavate-orë energji elektrike në vit. Që nga viti 2017, energjia blihet drejtpërdrejt nga tregjet e jashtme, pa u furnizuar nga brenda Kosovës. Me çmimet aktuale në bursën hungareze HUPEX - mbi 140 euro për megavat-orë - kostoja vjetore e energjisë, në rast prodhimi, do të arrinte mbi 58 milionë euro, shumë kjo që rrit presionin mbi qëndrueshmërinë e fabrikës.
Shkëputja e kontratave dhe një sinjal shprese
Në fund të vitit 2025, kompania u përball me një vendim edhe më të vështirë: shkëputjen kolektive të kontratave të punës për mbi 600 punëtorë, edhe pse ata ishin paguar për gati dy vjet pa prodhim aktiv. “Procesi është zbatuar në përputhje me Ligjin e Punës, duke përmbushur të gjitha detyrimet ndaj punonjësve deri në nëntor të vitit të kaluar”, thotë Gudaqi. Për Rexhep Ademin, mbi 50 vjeç, Ferronikeli nuk ishte vetëm vend pune.
Për 18 vjet me radhë, ai ishte burimi kryesor i sigurisë ekonomike për familjen e tij. Prandaj, momenti kur u njoftua për shkëputjen e kontratës së punës, mbetet një nga më të rëndët në jetën e tij profesionale. “Me pagën e Ferronikelit e kam mbajtur familjen”, thotë Ademi për Radion Evropa e Lirë, duke kujtuar vitet kur stabiliteti i kompleksit garantonte edhe stabilitet për qindra familje në Drenas dhe më gjerë. Pas ndërprerjes së prodhimit, Ademi arriti të gjente një punë tjetër, por dëshira që Ferronikeli të rifillojë punën mbetet ende e gjallë. “Do të kthehesha vetëm me kushte më të mira dhe me pagë më të lartë, jo me atë që ka qenë më parë”, thotë ai.
Historiku i Ferronikelit
Ferronikeli u ndërtua në vitin 1984 dhe përbëhet nga dy linja prodhimi, dy furra elektrike dhe dy furra rrotulluese. Xeherori i nikelit sigurohet nga minierat e Çikatovës dhe Gllavicës, si dhe nga Shqipëria e vende të tjera. Rënia e prodhimit nisi që në vitet ’90, pas vendosjes së masave represive nga regjimi i atëhershëm serb. Deri atëkohë, ndërmarrja ishte një nga prodhuesit kryesorë të nikelit në rajon. Pas luftës, në vitin 2006, ajo u privatizua nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit - sot Agjencia Kosovare e Privatizimit. Fillimisht u ble nga një kompani me seli në Londër për 30.5 milionë euro, me kusht që të punësonte deri në 1.000 punëtorë dhe të investonte 20 milionë euro, sipas zotimeve kontraktuale. Një vit pas privatizimit, nisi prodhimi nën emrin NeëCo Ferronikeli. Pas më shumë se një dekade operimi, në vitin 2018, kompania ndryshoi pronësinë, duke kaluar nën menaxhimin e një kompanie tjetër britanike, ku pjesë e strukturës pronësore ishte edhe një kompani nga Shqipëria. Në vitin 2022, pastaj, Ferronikeli kaloi në duart e konsorciumit aktual turk, Yildirim Group. Prodhimi rifilloi në vitin 2023, pas një ndërprerjeje gati dyvjeçare të shkaktuar nga rritja e shpejtë e çmimeve të energjisë elektrike në tregjet evropiane, por u ndal sërish në nëntor të po atij viti dhe mbetet i ndërprerë. Kapaciteti i prodhimit ndër vite arriti deri në 6.000 tonë nikel në vit, duke e bërë Ferronikelin një nga eksportuesit më të mëdhenj të vendit. Vetëm gjatë vitit 2020, kompania realizoi eksporte në vlerë mbi 80 milionë euro.
Efektet zinxhir në ekonomi
Ndalimi i prodhimit nuk ka prekur vetëm punëtorët e Ferronikelit. Kompania shtetërore, Trainkos, e cila ofron shërbime të transportit hekurudhor në Kosovë, në Planin e Biznesit për vitin 2025 kishte paraparë transport për eksportin dhe importin e xeheroreve dhe të produktit final të Ferronikelit në vlerë prej rreth një milion eurosh - ose 430 mijë tonë xehe.
Përveç kësaj, edhe disa kompani private kishin kontrata aktive për kryerjen e punëve në terren, të cilat janë ndikuar drejtpërdrejt nga ndalja e prodhimit. Nadije Ahmeti/REL
Emërimi, arkitektja Persida Shkrepa merr drejtimin e Institutit të Ndërtimit
Pedagogia dhe arkitektja Persida Shkrepa është emëruar në krye të Institutit të Ndërtimit. Emërimi u bë i ditur nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e......
Ministri i Financave prezanton Drejtori i ri të Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, i cili merr detyrën duke zëvendësuar Gent......
Sa rëndësi ka një Akademi Sipërmarrjeje? - Bajraktari: Duhet të jetë edhe pjesë e universiteteve
Një akademi sipërmarrjeje, po fiton rëndësi për të rinjtë që duan të zhvillojnë bizneset e tyre. Shumë ide të reja lindin çdo ditë, por pa njohuri të bazuara......
Projekte të reja të Këshillit të Evropës dhe Qeverisë Zviceriane, mbështetje e drejtpërdrejtë për AAPSK
Qeveria Zviceriane dhe Këshilli i Evropës kanë shënuar një hap të ri në mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe......
Bizneset shqiptare në rrugën e inteligjencës artificiale/ Gati 9% e ndërmarrjeve përdorin AI për lehtësimin e proceseve
Përdorimi i inteligjencës artificiale po bëhet gradualisht pjesë e funksionimit të bizneseve edhe në Shqipëri, duke reflektuar një prirje në rritje drejt......
Treni Rrogozhinë-Vlorë-Aeroport/ Projekti, gati në qershor, HSH: Përcaktohet gjurma e re. Në diskutime për financimin
Kontrata për projektin paraprak për rehabilitimin e linjës ekzistuese Rrogozhinë – Vlorë dhe lidhjen me Aeroportin e Vlorës përfundon në qershor 2026”. ......
Granti i performancës, çfarë ndryshon në 2026? - Farrici: Të gjitha bashkitë vendosen në stad të barabartë
Koncepti i Grantit të Performancës për bashkitë do të thellohet gjatë këtij viti. Kjo u bë me dije nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin......
Si e perceptojnë të huajt Shqipërinë? Indeksi i Fuqisë së Butë: Renditemi në vend të 102 nga 193 shtete
Shqipëria vijon të përmirësojë imazhin e saj në arenën ndërkombëtare. Sipas raportit më të fundit të publikuar nga “Brand Finance”, në kuadër të Global Soft......


