Dossier Postuar më 1 Gusht 2022, 19:30

Kur në portin e Durrësit projektohej modeli i “London Docks”! Krijimi i “Magazzini Generali” dhe projekti i 1926 për Qendrën Tregtare të Adriatikut

Nga SCAN TV

Nga Kreshnik KUÇAJ

Në fundin e shkullit të 17-të, Britania ndërmori një lëvizje që në thelb do të sillte transformimin e tregtisë në Europë dhe botë. Në portin e Londrës, fluksi i lartë i anijeve tregtare që lëviznin u bë aq i madh, sa krijoi nevojën e krijimit të atyre që njihen si Magazina të Përgjithshme. Magazinat e Përgjithshme ishin praktikisht magazine doganore, ku tregtarët e importit dhe të eksportit mund të depozitonin mallin e tyre. Në vitet 1800, zhvillimi i tregtisë favorizoi përhapjen e këtij modeli, në shumë vende të Europës. Britaninë e pasoi menjëherë Franca që krijoi “Magasins Généraux”.

Por cili ishte në thelb suksesi i Magazinave të Përgjithshme dhe pse vlerësohet se ato ndikuan në revolucionarizimin e tregtisë botërore?

Praktikisht, modeli britanik dhe më pas ai francez, që shërbyen si model për vendet e tjera, parashikonte avantazhin e shtyrjes së pagesës së taksave në rastet se mallrat depozitoheshin në këto magazina. Pagesa e tyre bëhej vetëm në momentin që mallrat e depozituara dilnin nga magazina.

Filimisht në Britani këto magazina administroheshin nga privatë që kishin liri veprimi por Franca më pas miratoi një ligj të posaçëm për rregullimin e tyre.  Krijimi i këtyre magazinave konsiderohej si një hap madhor për zhvillimin e tregtisë dhe të financave gjithashtu.

Tregtarët që depozitonin mallra në këto magazina, merrnin një certifikatë depozite, e cila mund të përdorej si kolateral për kredi ose tregtohej te një tjetër, pa pasur nevojën që mallrat e depozituara të lëvizeshin. Praktikisht, ato ishin Letra me Vlerë. Në këtë mënyrë, Magazinat e Përgjithshme u kthyen jo vetëm në sipërmarrje tregtare por edhe në një instrument kreditues që favorizonte zgjerimin e kreditit tregtar e të vetë tregtisë në terësi. Ndaj edhe më të interesuarat për ngritjen e tyre ishin kryesisht bankat e bashkitë. Ky sistem i ri i qarkullimit të mallrave jo vetëm lehtësoi e intensifikoi qarkullimin e mallrave, por edhe mundësoi krijimin e një tregu financiar e madje i kthehu portet në qendra kryesore ekonomike, industriale e financiare të qyteteve.

Si u krijua MAGA, Shoqëria Anonime ‘Magazzini Generali D’Albania’

Ishin italianët ata që tentuan në Shqipëri që të aplikonin një masë të tillë. Italia që në fund të viteve 1800 kishte nisur të aplikonte modelin britanik e francez për magazinat doganore duke krijuar ‘Magazzini Generali’ në portet kryesore të saj. E roli i bankave italiane në krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipnis në 1925, u shoqërua me disa specifikime ligjore, ku ndër të tjera i jepej e drejta e ndërtimit të Magazinave të Përgjithshme të Shqipnis’ në portet kryesore të vendit.

Italianët e shikonin portin e Durrësit si një ndër portet kryesore që kishte potencialin për t’u kthyer në qendrën tregtare të Adriatikut, ndaj edhe një prej financimeve kryesore që parashikonte huaja për krijimin e Bankës Kombëtare dhe Shoqërisë për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë (SVEA) ishte pikërisht thellimi i Portit të Durrësit dhe ndërtimi i një kalate të përshtatshme për t’iu përgjigjur parashikimeve ekonomike që kishte për të.

Në fundin e prillit të vitit 1927, në Romë u krijua juridikisht, pranë noterit Francesco Stame, Shoqëria Anonime Magazzini Generali Albania; një kompani me kapital 150 mijë lira, e ndarë me 1500 aksione me 100 lira secili. Shoqëria kishte si objekt ndërtimin e një impianti, marrejn dhe ushtrimin në çdo vend të Shqipërisë të magazinave si depozita doganore të lira, impiantet për ruajtjen e drithit, depozita dhe frigoriferë për ruajtjen e mallrave, kryesisht ushqimeve që përbënin një zë të rëndësishëm në eksporte dhe importe për vendin.

Këshilli i Administrimit përbëhej nga Sergio Panuzzio që mbante detyrën e Presidentit të Magazzini Generali. Zëvëndëspresident ishte  Vittorio Laviosa, ndërsa këshilltar ishte Antonio Magli. Pjesë e Këshillit ishin edhe avokati Roberto Gambino, Giuseppe Baraggioli, Marco Crico, Altieri Roomporad, Lale N.Zuber, Fausto Rapisardi. Kohëzgjatja e kompanisë ishte parashikuar deri në vitin 1980.

Ngritja e magazinave në Portin e Durrësit duket se eci me ritme më të shpejta sesa ngritja e selive të bankes. Kjo konfirmohet edhe nga fakti se në vitin 1926, zyrat e ‘Magazzini Generali’ shërbyen si seli për Bankën Kombëtare pasi tërmeti i vitit 1926 shkatërroi zyrat ku ishte vendosur banka, që ndërkohë po priste përfundimin e punimeve për selinë karakteristike që ka mbijetuar ende në ditët e sotme.

Pavarësisht se u ndërtuan magazinat doganore dhe shoqëria nisi punën, duket se roli i tyre mbeti nën potencial e nën parashikimet e pritshme për impaktin që do të kishte në ekonomi.

Arsyeja në fakt jepet nga vetë Mario Alberti, në relacionin për ecurinë e Bankës Kombëtare në vitin e parë të punës.

Tue kalue prej fushës bujqësore mbi fushën tregtare, asht gëzimi i jonë me ju njoftue se asht formue Shoqnija për Magaze të Përgjithshme të Shqipnis që ka goditë nji ndërtesë të veçantë, moderne, në Durrës, edhe ka vende të përshtatuna edhe në Shkodër. Kemi shpresë se bashkëpunimi ndërmjet Bankës s’onë dhe Magazinavet të Përgjithshme të Shqipnis’ do të jet i tilë që do të lehtësojë shumë lëvizjen e eksportimit edhe të importimit të Shqipnis, e cila për me realizue prodhimet e saj ka me mujtë me pritë periodet ma të favorshme të tregjevet edhe ka me pas në vend nji depozitë të përhershme teshash (sendesh) të huaja që i duhen ma fort” do të shprehej drejtuesi i parë i bankës, Mario Alberti në raport.

Por përtej optimizmit për rolin që Magazinat e Përgjithshme mund të kishin në zhvillimin e tregtisë, financave e të vetë bujqësisë në mënyrë indirekte, Alberti shfaq rezerva lidhur me disa mangësi ligjore, që në një të ardhme të afërt do të përbënin edhe arsyet se pse Magazinat e Përgjithshme nuk patën impaktin e pritshëm në tregtinë shqiptare. Arsyeja në këtë rast ishte se legjislacioni nuk mundësonte dhënien e certifikatave të depozitave që më pas të mund të përdoreshin si asete për kreditim.

Një legjislacion tjetër që i mungon Shqipërisë asht ajo mbi Magazina të Përgjithshme. Ato, sikur duhet nuk janë bë vetëm me i dhanë lehtësi tregtarit dhe bulkut me depozitue teshat (sendet) e atynve në vend te sigurta; ato duhen sidomos për me zhvillue kreditin. Tregtari dhe bulku depozitojnë prodhimet e tyre ndër Magazina të Përgjithshme për me marrë në themel të diftesave të depozitave, por subvencjoni i tillë mund të bahet vetëm në qoftë se mbi teshat e depozitueme ndër Magazinat e përmenduna mund të merret nji garanci të vërtetë, e cila punë mund të bahet vetëm kur me norma të nevojshme legjislative ipet garanci edhe shenjohet nji procedurë ekzekutive të veçantë, të thjeshtë e të shpejtë në rasë se nuk pagohet.

Edhe këtu për me zhvillue nji formë të tillë krediti asht e nevojshme të përkujdeset për nji mbrojtje legjislative të mirë. Banka, sikur u tha ka ba nji shoqni të veçantë anonime për Magazinat e Përgjithshme por funkcioni i saj mbetet i atrofizuem si për mungesë legjislacioni përkatës. Përveç kësaj, asht për t’u përmendur që për nji vend krejt bujqësor sikur Shqipnia duhet t’i ipet ma shum fuqi kreditit bujqësor,. Por edhe këtu legjislacioni asht i pamjaftueshëm” shkruante më tej Alberti në relacionin për punën e Bankës në vitin 1926.

Në fakt, çelja e këtyre magazinave në Shqipëri vinte në një kohë kur edhe edhe në vetë Itali dhe Europë, roli i Magazinave në zonat portuale po transformohej. Ndër faktorët zbehës vlerësohen politikat proteksioniste ekonomike që ndoqni fashizmi, gjë që solli një kontraktim të stokut të mallrave që vinin nga jashtë, lehtësitë e munguara fiskale në kushtet e pasojave që solli kriza ekonomike botërore që njihet si ‘Depresioni i Madh’ si dhe transformimi i sistemit të transportit që bëri favorit transportin rrugor kundrejt atij detar apo hekurudhor. Sidomos përhapja e përdorimit të kamionëve krijoi lidhje direkte mes prodhuesit dhe shitësit, duke e bërë shumë të rrjedhshëm qarkullimin e mallrave e duke e bërë më pak të nevojshëm depozitimin e tyre.

Pas vitit 1926, Magazinat e Përgjithshme të Shqipnis’ funksionuan në rolin bazik të tyre. Veç  Durrësit, ato u çelën në Shkodër, Korçë, Sarandë e Vlorë. Megjithatë, ato do të shërbenin më shumë si magazina të thjeshta doganore, sidomos për konservimin e drithërave.  Në një studim të viteve ’40 nga ekonomisti italian Gino Borgata konfirmohet shqetësimi që edhe vetë Mario Alberti kishte paralajmëruar në vitin 1926.

Mungonin normat që do të mundësonin funksionimin e Magazinave të Përgjithshme dhe operacioneve të kreditit që ato mundësojnë, qoftë sa i përket tarifave doganore për mallrat e depozituara nga tregtarët dhe bujqit në këto dyqane speciale ruajtje, qoftë sa i përket emetimit dhe përdorimit të certifikatave të depozitave apo certifikatave që vërtetojnë sasinë dhe llojin e produktit që mund të përbëjnë bazë krediti vetëm kur garantohen formalisht nga mallrat e depozituara në magazina dhe favorizohen nga një procedurë ekzekutive e shpejtë në rast të një pagese të munguar.

Banka Kombëtare e Shqipnis’ kishte themeluar një kompani të posaçme për Magazinat e Përgjithshme dhe kishte ndërtuar godinat në Durrës por për mungesë të normave ligjore të nevojshme për lehtësitë doganore dhe për kujdesin ndaj trasporteve kredituese, kompania nuk funksionoi për shumë kohë” evidenton në studimin e vitit 1940 ekonomisti italian.

Ai evidenton më tej se vetë banka në aktivitetin kreditues të ekonomisë u tregua e ngadaltë, kjo edhe për vetë faktin se ajo ishte krijuar si institut emetimi për monedhën dhe jo si institut për kreditim direkt të ekonomisë. Megjithatë, vetë banka pati një rol të caktuar edhe nw kwtw drejtim pasi u detyrua të futej në operacione direkte kreditimi duke u përfshirë direkt në jetën tregtare të vendit.

Magazinat e Përgjithshme funksionuan vetëm si magazina doganore mallrash edhe gjatë periudhës së pushtimit italian, kohë kur shërbyen më së shumti si magazine drithi për entin SASTEB e gjithashtu edhe gjatë periudhës së ekonomisë së centralizuar, ku u përdorën për qëllime tregtare, por pa arritur asnjëherë të  realizonin misionin për të cilin ishin parashikuar…

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat