Bota Postuar më 7 Tetor 2024, 14:55

“Konflikti në Lindjen e Mesme prek ekonominë globale” - FMN shpreh shqetësim për pasoja të rëndësishme në të ardhmen

Nga SCAN TV
“Konflikti në Lindjen e Mesme prek ekonominë globale” -

Kristi Ceta/SCAN

 

Fondi Monetar Ndërkombëtar theksoi se një përshkallëzim i konfliktit në Lindjen e Mesme mund të ketë pasoja të rëndësishme ekonomike për rajonin dhe ekonominë globale, por çmimet e mallrave mbeten nën nivelet më të larta të vitit të kaluar.

Zëdhënësja e FMN-së Julie Kozack tha se huadhënësi global me bazë në Uashington po monitoron nga afër situatën në Libanin jugor me "shqetësim të madh" dhe ofroi ngushëllime për humbjen e jetëve.

"Potenciali për përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit rrit rreziqet dhe pasigurinë dhe mund të ketë pasoja të rëndësishme ekonomike për rajonin dhe më gjerë," tha Kozack. Ajo shtoi se ishte shumë herët për të parashikuar ndikime specifike në ekonominë globale, por vuri në dukje se ekonomitë në rajon tashmë kanë vuajtur shumë, veçanërisht në Gaza, ku popullsia civile "përballet me kushte të rënda socio-ekonomike, një krizë humanitare dhe dërgesa të pamjaftueshme ndihme”.

FMN vlerëson se Prodhimi i Brendshëm Bruto i Gazës ra me 86% në gjysmën e parë të 2024, ndërsa ai i Bregut Perëndimor në gjysmën e pare pritet të bjerë 25%, me perspektiva për një përkeqësim të mëtejshëm.

Gjithashtu, Prodhimi i Brendshëm i Izraelit u tkurr me rreth 20% në tremujorin e katërt të 2023 pas fillimit të konfliktit dhe vendi ka parë vetëm një rikuperim të pjesshëm në gjysmën e parë të 2024.

"Në Liban, intensifikimi i fundit i tensioneve po përkeqëson situatën tashmë të brishtë makroekonomike dhe sociale të vendit," tha Kozack, duke iu referuar sulmeve ajrore të Izraelit ndaj grupit militant Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban.

Konflikti rrezikon të ndikojë në ekonominë globale nëpërmjet çmimeve më të larta të mallrave, duke përfshirë naftën dhe drithërat, si dhe për shkak të rritjes së kostove të transportit, pasi anijet shmangin sulmet e mundshme me raketa nga militantët Houthi të Jemenit në Detin e Kuq. Por çmimet e mallrave janë aktualisht më të ulëta se sa kulmet e tyre në vitin e kaluar, u shpreh Kozack.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat