Shqipëria Postuar më 14 Nëntor 2022, 12:10

Koncesioni për Kashar-Lekaj, 320 milionë euro - Konsorciumi i 8 kompanive shpallet fitues, vlera 155 milionë euro më e ulët se parashikimi i MIE

Nga SCAN TV
Koncesioni për Kashar-Lekaj, 320 milionë euro - Konsorciumi i 8

Bashkimi i përkohshëm i 8 kompanive është shpallur fitues i koncesionit, për ndërtimin e segmentit Kashar - Lekaj, pjesë e aksit rrugor Milot – Fier. Oferta e shpallur fituese është 320 mln euro, pa TVSH, një vlerë gati 155 mln euro më e ulët se parashikimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që përcaktonte se investimi do shkonte në 474 869 965 euro.

“Fusha”, “Agbes Construksion”, “Albavia”, “Kupa”, “Ante-Group”, “Klodioda”, “A.L.T.E.A. & Geostudio 2000” dhe “Sphaera” janë kompanitë e konsorciumit të shpallur fitues, teksa ishin të vetëm në garë.  Segmenti Kashar – Lekaj, ka një gjatësi prej 26.6 km që do të ndërtohet në një gjurmë të re, ndërkohë që në total do të ketë një gjatësi prej 33.6, pasi 7 km të këtij seksioni janë pjesë e bypassit të Tiranës dhe do të ndërtohen nga kompania që do të kryejë punimet për këtë të fundit e për pasojë nuk janë objekt i koncesionit.

Ndërkaq, për 2 segmentet e tjerë, Milot – Thumanë dhe Lekaj – Fier, gara koncesionare e të cilave u hap njëkohësisht me segmentin e mësipërm, fituesi nuk është njoftuar ende. Gjithsesi, këto 2 segmente janë të vendosur në rrugë ekzistuese, teka object I konsecionit do të jetë vetëm rritja e standardeve.

Ndërkaq, edhe segmenti Thumanë – Kashar është pjesë e autostradës Milot – Fier, por tashmë për këtë lot është nënshkruar kontrata koncesionare, ndërsa vlera e investimit nuk është bërë publike dhe nuk është pjesë e kontratës të publikuar në Fletoren Zyrtare. Koncesioni i autostradës Milot – Fier do të zgjatë 35 vjet, ndërsa përgjatë gjithë gjatësisë kalimi i automjeteve do të jetë me pagesë.

Të ardhurat e kompanive që do të ndërtojnë rrugën do të sigurohen nga këto pagesa, ndërkohë që ngjashëm me kontratën për segmentin Thumanë – Kashar, për 8 vite buxheti i shtetit do të rimbursojë kompanitë private, në rast të trafikut të munguar.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat