Bota Postuar më 20 Qershor 2022, 12:48

Kina importon sasi rekord nafte nga Rusia - Moska zëvendëson Arabinë Saudite duke u bërë furnizuesi kryesor i vendit

Nga SCAN TV

Importet e naftës së papërpunuar të Kinës nga Rusia janë rritur prej 55% në krahasim me një vit më parë dhe shënuan një rekord në muajin maj, duke zëvendësuar në këtë mënyrë Arabinë Saudite si furnizues. Kina ka mundur të kursejë shumë para pasi nafta ruse është marrë me cmim të ulur për shkak të sanksioneve perëndimore ndaj Moskës pas pushtimit të Ukrainës.

Sipas të dhënave nga Administrata e Përgjithshme e Doganave Kineze, importet e naftës ruse, duke përfshirë furnizimet e pompuara përmes tubacionit të Oqeanit Paqësor të Siberisë Lindore dhe dërgesave detare nga portet europiane dhe të lindjes së largët të Rusisë, arritën në rreth 8.42 milionë ton.

Kjo është e barabartë me afërsisht 1.98 milion fuçi në ditë  dhe një çerek më shumë nga 1.59 milion fuçi në ditë në prill.

Të dhënat, të cilat tregojnë se Rusia ka përmbysur renditjen e furnizuesve më të mëdhenj, apo importuesve të naftës së papërpunuar pas një periudhe 19 mujore, dëshmojnë se Moska është në gjendje të gjejë blerës për naftën e saj pavarësisht sanksioneve perëndimore, megjithëse i është dashur të ulë çmimet.

Dhe ndërsa kërkesa e përgjithshme e Kinës për naftë të papërpunuar është ulur për shkak të kufizimeve të COVID-19 dhe ngadalësimit të ekonomisë, importuesit kryesorë, duke përfshirë gjigantin e rafinimit Sinopec dhe Zhenhua Oil, kanë blerë më shumë naftë ruse me cmim të ulët, krahas furnizimeve të sanksionuara nga Irani dhe Venezuela që lejon ata të pakësojnë furnizimet konkuruese nga Afrika Perëndimore dhe Brazili.

Arabia Saudite mbetet furnizuesi i dytë më i madh, me vëllimet e majit me rritje prej 9% në vit në 7.82 milion ton.

Të dhënat doganore treguan gjithashtu se Kina importoi 260 mijë ton naftë bruto iraniane muajin e kaluar, dërgesa e tretë e naftës iraniane që nga dhjetori i kaluar, duke konfirmuar një raportim të mëparshëm të agjencisë së lajmeve Reuters.

Pavarësisht sanksioneve të SHBA-së ndaj Iranit, Kina ka vazhduar të marrë naftë iraniane, e cila zakonisht kalonte si furnizim nga vendet e tjera. Nivelet e importit janë afërsisht të barabarta me 7% të importeve totale të naftës bruto të Kinës.

Importet e përgjithshme të naftës së papërpunuar të Kinës u rritën gati 12% në maj nga një bazë e ulët një vit më parë në 10.8 milionë fuçi në ditë, kundrejt mesatares së vitit 2021 prej 10.3 milionë fuçi në ditë.

Doganat raportuan zero importe nga Venezuela. Firmat shtetërore të naftës i kanë shmangur blerjet që nga fundi i vitit 2019, me shqetësimin se mos bien në kundërshtim me sanksionet dytësore të SHBA.

Importet nga Malajzia, të përdorura shpesh si pikë transferimi në dy vitet e fundit për naftën me origjinë nga Irani dhe Venezuela, arritën në 2.2 milionë ton, të qëndrueshme kundrejt prillit, por më shumë se dyfishi i nivelit të një viti më parë.

Importet nga Brazili ranë 19% nga një vit më parë në 2.2 milionë ton, pasi furnizimet nga eksportuesi i Amerikës Latine u përballën me konkurrencë më të lirë nga Irani dhe Rusia.

Të dhënat treguan gjithashtu se importet e Kinës të gazit natyror të lëngshëm rus arritën në afro 400 mijë ton muajin e kaluar, 56% më shumë se maji i vitit 2021.

Për pesë muajt e parë, importet e LNG-së ruse - kryesisht nga projekti Sakhalin-2 në lindjen e largët dhe Yamal LNG në Arktikun Rus - u rritën 22% në vit në 1.84 milion ton, sipas të dhënave doganore.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat