Rajoni Postuar më 20 Qershor 2022, 12:40

Planet për nxjerrjen e gazit në Adriatik - Italia bllokon shpimet ndërsa Kroacia “sulmon” rezervat

Nga SCAN TV

Kriza energjetike dhe domosdoshmëria për t’u shkëputur nga furnizimet ruse detyrojnë vendet europiane që të kërkojnë zgjidhje për të gjetur burime të reje energjitike. Në një kohë që Italia ka vendosur të zgjerojë infrastrukturat për importin e gazit të lëngshëm, Kroacia vazhdon të rrisë sasinë e gazit që nxirret nga Adriatiku. Kompania kroate për gazin dhe naftën, Ina, deklaroi pak ditë në parë se ka ndërmend të investojë rreth 266 milion euro për platforma dhe shpime të reja. Drejtuesit e kompanisë konfirmuan se në shtator të këtij viti INA do të nisë një fushatë të re shpimi në Adriatikun verior. Ky projekt sipas tyre do të kontribuojë për sigurinë energjetike të vendit. Për të reduktuar varësinë nga gazi rus, Zagrebi do të rrisë me më shumë se 20% prodhimin aktual të gazit natyror brenda vitit 2024. Sipas të dhënave të Agjencisë për hidrokarbure, në vitin 2021 nga rezervat e gazit janë nxjerrë 0.78 miliard metra kub gaz që përmbushin 305 të kërkesës kombëtare, e cila në total është 2.7 miliard metra kub. Kroacia synon kryesisht rezervat në Adriatikun verior ku nuk ka konkurrencë meqenëse në Itali shpimet në këtë zonë janë të ndaluara pasi konsiderohet zonë në rrezik zhytjeje. Pikërisht në këtë zonë të Adriatikut ndodhet dhe rezerva më e madhe e gazit të Italisë. Sipas të dhënave zyrtare bëhet fjalë për 40 miliard metra kub rreth 40 kilometra larg Venezias. Italia ka nisur të bllokojë aktivitetet për nxjerrjen e gazit dhe për kërkime në Adriatik që në mes të viteve ’90, dhe prodhimi kombëtar ka kaluar nga 20.6 miliard metra kub në vitin 1994, në 4.4 në vitin 2020 në një kohë që konsumi vijon të rritet Gjithnjë sipas të dhënave zyrtare mund të vihen në punë rreth 50 platforma në gjendje për të nxjerrë 3 miliard metra kub gaz në vit. Nxjerrjen e gazit e ngadalëson plani për tranzicionin energjitik të zonave të përshtatshme. Ky program i hartuar nga qeveria Konte në 2019-ën dhe i miratuar përfundimisht në shkurt nga qeveria e Dragi, propozonte reduktimin e shpimeve. Sipas dokumentit nga 123 koncensione minerare, 108 prej tyre lidhen me gazin por më shumë se 70% e tyre ndodhen në zona të papërshtatshme. Përballë rritjes së çmimit të energjisë, Ministria e Tranzicionit Ekologjik ka vendosur të përditësojë planin për të rritur prodhimin e gazit italian, duke paraqitur një lloj plani rregullator që tregon se ku lejohet nxjerrja e hidrokarbureve. SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat