Këshilli Mbikëqyrës i BSH nuk e ndryshon normën e interesit. Guvernatori Sejko:Inflacioni në rënie

Tendenca rënëse e inflacionit që po konstatohet në ekonominë globale dhe atë lokale, ka bërë që sërish Këshilli MBikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të mos e ndryshojë politikën monetare. Në daljen për mediat, Guvernatori Gent Sejko njoftoi se norma baza e interesit për kreditë do të mbetet e pandryshuar, në nivelin në nivelin 2.75%.
Fjala e plotë e Guvernatorit:
Sot, në datën 1 shkurt 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.
Informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë, përgjithësisht, më i mirë se pritjet tona. Inflacioni shënoi rënie në muajt nëntor e dhjetor, aktiviteti ekonomik vijoi të rritet në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa efekti i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare po shfaqet më i plotë në tregjet financiare.
Këto tendenca pritet të vazhdojnë edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm. Në veçanti, përditësimi i parashikimeve rikonfirmon pritjet tona se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024.
Sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare.
Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës konstaton se presionet inflacioniste vijojnë të mbeten të larta dhe normalizimi i mëtejshëm i qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen është i nevojshëm për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv.
Në vijim, do të sqaroj më në detaje vendimin e sotëm dhe arsyet që e motivuan.
***
Inflacioni i çmimeve të konsumit erdhi në rënie gjatë dy muajve të fundit të vitit 2022. Pasi kulmoi në nivelin 8.3% në muajin tetor, norma e inflacionit zbriti në 7.4% në fund të vitit. Në aspektin e shportës, rënia e inflacionit pasqyroi rënien e çmimeve të naftës dhe të disa artikujve ushqimorë, të diktuara nga ecuria e ngjashme e këtyre çmimeve në tregun ndërkombëtar. Nga ana tjetër, normat e inflacionit të shërbimeve dhe të artikujve të tjerë mbeten në nivele të larta, të krahasueshme me ato të muajve paraardhës.
Në aspektin makroekonomik, rënia e inflacionit pasqyroi reduktimin e inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste mbeten të larta. Ato ushqehen nga kërkesa relativisht e lartë për mallra dhe shërbime, nga rritja e shpejtë e punësimit, e pagave dhe e kostove të prodhimit, si dhe nga pritjet ende të larta për inflacionin të agjentëve ekonomikë.
Aktiviteti ekonomik në vend vijoi të rritet edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2022. Rritja ekonomike u përshpejtua në 4% në tremujorin e tretë, pas ngadalësimit të përkohshëm në tremujorin paraardhës. Në këndvështrim sektorial, rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i aktivitetit në sektorët e ndërtimeve dhe të shërbimeve, ndërkohë që aktiviteti industrial u tkurr dhe prodhimi bujqësor ishte pothuajse i pandryshuar. Në këndvështrimin e kërkesës, rritja ekonomike u ushqye nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve private, ndërkohë që sektori publik dhe shkëmbimet tregtare me jashtë neto patën efekt frenues.
Rritja ekonomike është shoqëruar me rritje të punësimit dhe të pagave. Punësimi u rrit me 4.2%, shkalla e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6% dhe paga mesatare në sektorin privat u rrit me 12.3% në tremujorin e tretë. Ecuria pozitive e tregut të punës krijon premisa për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen, por sinjalizon edhe për rritje të shpejtë të kostove të prodhimit dhe presione mbi çmimet e konsumit.
Tregjet financiare kanë funksionuar normalisht. Ecuria e yield-eve të letrave me vlerë të qeverisë ka shfaqur shenja korrektimi dhe normalizimi. Normat e interesit të depozitave dhe kredive bankare kanë ardhur në rritje, si pasojë e normalizimit të politikës monetare në vend dhe në botë, por niveli i tyre mbetet ende stimulues për rritjen e konsumit dhe të investimeve. Për rrjedhojë, ndonëse në ngadalësim, kredia për sektorin privat ka vijuar të shfaqë flukse pozitive mujore dhe rritje pozitive vjetore, duke mbuluar nevojat e bizneseve dhe familjeve për mjete financiare. Paralelisht me to, kursi i këmbimit ka shfaqur tendenca forcimi kundrejt monedhave kryesore ndërkombëtare, si pasojë e të ardhurave të larta valutore dhe e primeve të kontrolluara të rrezikut.
Përditësimi i parashikimeve sugjeron se inflacioni do të bjerë gradualisht gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024. Paralelisht me të, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet, ndërsa treguesit kryesorë të stabilitetit financiar pritet të mbeten në kontroll.
Rënia e inflacionit do të pasqyrojë reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në tregjet ndërkombëtare dhe pasojat kumulative të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare në vend. Këto pasoja shfaqen në formën e kontrollit të pritjeve të agjentëve të tregut për inflacionin, të mbështetjes së kursit të këmbimit, si dhe të balancimit më të mirë midis kërkesës dhe ofertës agregate në vend.
Rritja ekonomike e vendit pritet të mbetet në territor pozitiv, e ushqyer nga bilancet e shëndetshme të sektorit privat, nga dinamikat pozitive të tregut të punës, nga reduktimi i pasigurisë dhe nga një ambient financiar ende akomodues. Megjithatë, ritmi i rritjes ekonomike pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë vitit 2023 dhe t’i kthehet ritmeve historike të rritjes në afatin e mesëm e të gjatë. Ky trend pasqyron, më së shumti, dinamikat e pritura të kërkesës së huaj dhe veprimin e efekteve bazë.
***
Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%.
Këshilli Mbikëqyrës rikonfirmon gjykimin e tij se presionet e larta inflacioniste mbeten rreziku kryesor mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Gjithashtu, ai thekson se, bazuar në informacionin aktual, normalizimi i mëtejshëm i qëndrimit të politikës monetare mbetet një masë e nevojshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve. Ky normalizim bëhet edhe më i nevojshëm, në prani të një balance rreziku për inflacionin, e cila qëndron ende në kahun e sipërm.
Në linjë me komunikimet e mëparshme, Këshilli Mbikëqyrës thekson se shpejtësia dhe intensiteti i këtij normalizimi ka qenë dhe do të mbetet një proces i udhëhequr nga të dhënat e reja. Në çdo rast, politika monetare do të sigurojë kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, duke u kujdesur në të njëjtën kohë të minimizojë ndikimin e saj në frenimin e aktivitetit ekonomik.
Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes situatën për të vlerësuar në vazhdimësi ecurinë e presioneve inflacioniste dhe për të identifikuar në kohë masat e nevojshme për arritjen e objektivit.
Sondazh

Kosova rrit pagën minimale - Kush do të paguhet më shumë?!
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka vendosur që vlera monetare e koeficientit të pagave të jetë 105 euro për vitin 2023, dhe 110 euro për vitin 2024.......

A është 2023 një kohë e mirë për të investuar në pasuri të paluajtshme?!
Investimi në pasuri të paluajtshme mund të jetë një metodë e shkëlqyer për të ndërtuar shumë pasuri pikërisht tani në vitin 2023. Mendoni për pasuritë e......

Shkrirja e apeleve, short nga e para për 32 mijë dosje - Çështjet e pagjykuara në rrethe tashmë sillen në Tiranë, në duart e 25 gjyqtarëve
Momenti më i dhimbshëm i shkrirjes së gjykatave të apelit, proces që nisi zyrtarisht këtë të mërkurë, duket se do të jetë fati i rreth 32 mijë dosjeve të......

Rritje pagash për sektorin IT të administratës - Ibrahimaj: Masë përforcuese kundër sulmeve kibernetike
Për forcimin e sistemeve kompjuterike në të gjitha institucionet e administratës, qeveria ka vendosur rritjen e pagës për të gjithë punonjësit e......

Sa po “rëndon” rritja e pagës minimale bizneset? - Një sipërmarrje me 10 punonjës pagoi 134 mijë lekë sigurime më shumë
Ndonëse rritja e pagës minimale ka ndihmuar punonjësit e sektorit privat, nga ana tjetër po rrit kostot për bizneset të cilët janë të detyruar të paguajën më......

Çmimet “kapërcejnë” krizën në fund të 2023-shit! - Qeveria, parashikime optimiste për inflacionin. Supozon mbi skenarin më të mirë
Pas një viti të vështirë, ku për shkak të luftës në Ukrainë, çmimet pësuan një rritje të konsiderueshme, kostot e jetesës për qytetarët shqiptarë pritet të......

Gati kartat bazike bankare, opsion konvertimi i llogarive ekzistuese - Në 2023, 70% e popullsisë me llogari në banka. Tarifa zero për shtresat vulnerabël
Deri në fund të këtij viti, Banka e Shqipërisë planifikon që 70% e popullsisë shqiptare të ketë një llogari bankare, në një kohë që shteti do të marrë përsipër......

Çfarë prodhuam më shumë gjatë 2022-shit? - Ulliri mban “kampion”, lë në “hije” produktet e tjera
Bujqësia është sektori më i rëndësishëm për vendin, i cili përbën mbi 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe mbarësia në prodhim përkthehet në më......