Shqipëria Postuar më 22 Maj 2024, 10:19

Jepet autorizimi final i garancisë bankare për manifakturën - Detajet, si do të funksionojë ndihma shtetërore dhe cilat janë kriteret e përfitimit

Nga SCAN TV
Jepet autorizimi final i garancisë bankare për manifakturën -

Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka marrë në shqyrtim garancisë sovrane prej 4 miliardë lekësh që do ti jepet sektorit të manifakturës në mënyrë që ti nxisë të bëjnë investime në inovacion dhe teknologji dhe për të blerë lëndën e parë, duke e konsideruar atë si ndihmë shtetërore të dhënë në kushte të veçanta tregu, e cila nuk cënon konkurrencën dhe duke dhënë kështu autorizimin final për zbatimin e saj.

Referuar vendimit të miratuar në Fletoren Zyrtare, plani i  ndihmës synon të lehtësojë blerjen e makinerive,  automatizimin e linjave të prodhimit, krijimin e kushteve strukturore, për të realizuar ciklin e plotë Made in Albania.

Huamarrësi duhet të dorëzojë kërkesën e aplikimit  për Hua pranë Huadhënësit jo më vonë se 31 tetor 2024. Kontratat e huas duhet të nënshkruhen jo më vonë se 31 Dhjetori 2024 dhe projekti do të zbatohet në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Plani i  ndihmës i lehtëson përfituesit për koston e huas që  do të duhet të paguanin në kushte normale të tregut.  Avantazhi i dhënë nga masa është selektive, pasi plani i ndihmës do të jetë i zbatueshëm vetëm në  sektorin e industrisë përpunuese dhe do të  akordohet vetëm për ndërmarrjet që përmbushin  kritere të caktuara të planin e ndihmës.

Sipas vendimit, ndihma  transparente në formën  e garancisë, konsiderohet kur përfituesi i ndihmës nuk përmbush kushtet për nisjen e një procedure falimentimi sipas legjislacionit në fuqi; garancia nuk kalon 80% të kredisë që garanton; dhe pjesa e garantuar e kredisë nuk kalon shumën  prej 522.5 milionë lekësh.

Referuar planit të ndihmës të dy kushtet e  sipërcituara përmbushen, sepse huamarrësi nuk  duhet të ketë detyrime tatimore të papaguara në  momentin e aplikimit dhe se nuk duhet të ketë kredi  me probleme, me vonesa prej më shumë se 60 ditë,  në historik dhe në momentin aktual në Regjistër Kredie. Vlera e Huas e vendosur në dispozicion nga Huadhënësi për Huamarrësin nuk mund të jetë më e lartë se 100 milionë lekë.

Sipas të dhënave nga industria, nga një pyetësor që u është dërguar bizneseve që operojnë në këtë fushë, 70% e tyre janë të gatshëm të ndërmarrin iniciativën e transformimit.

Elisabeta Dosku/SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat