Shqipëria Postuar më 21 Maj 2024, 14:27

“Ndryshime ligjore për mbledhjen e huave të këqija” - Sejko: Nuk mund të ndërhyjmë në shërbimin përmbarimor gjyqësor

Nga SCAN TV
“Ndryshime ligjore për mbledhjen e huave të këqija” -

Gjatë një seance raportimi, deputetët e Komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat, kanë kërkuar të dinë nga Guvernatori Gent Sejko, masat që ka marrë Banka e Shqipërisë në lidhje me institucionet financiare jo-banka. Aktualisht, është zbuluar një skemë mashtrimi me qytetarët nga Micro Credit Albania, për të cilën ka nisur hetimet edhe SPAK.

Guvernatori Sejko sqaroi se pas ekzaminimeve të para ndaj kompanisë Micro Credit Albania në 2020-ën dhe mosplotësimit të rekomandimeve në vitin 2022, nuk u ndërmor direkt masa e pezullimit të licencës, me qëllim që ky portofol të pastrohej në objekte të tjera të licencuara për menaxhimin e 15 mijë klientëve të kësaj kompanie.

Mandati i Bankës së Shqipërisë është i përcaktuar qartësisht në ligjin e saj organik i cili, në objektiv të mbrojtjes së stabilitetit financiar të vendit, e sanksionon Bankën e Shqipërise të rregullojë, licencojë dhe mbikëqyrë subjektet pjesë të tregut financiar, vetëm brenda tagrave që i njeh ky ligj.

Veprimtaria e shërbimit përmbarimor gjyqësor  nuk licencohet apo mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Kuadri ligjor nuk i jep Bankës së Shqipërisë kompetencën të urdhërojë ndalimin/pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve dhe as të monitoroje barrën financiare që krijon ky shërbim mbi qytetarët. Kjo është një kompetencë që ligji ia njeh vetëm gjykatës. Për rrjedhojë, veprimtaria e shërbimit përmbarimor gjyqësor nuk është objekt kontrolli nga Banka e Shqipërisë.

Në këtë pikë, theksojmë se autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer. Çdo proces përtej këtij momenti (ankandet, vendosja e sekuestrove apo çdo veprim tjetër procedural i ndërmarrë nga shoqëria përmbarimore) është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo të rregullohet prej saj.

Banka e Shqiperise nuk mund të ndërhyjë as në marrëdhëniet që MCA ka me subjektet që kontrakton, siç është rasti i shërbimit përmbarimor gjyqësor.

Sipas pashikimeve të Kodit Civil, të gjitha marrëdhëniet kontraktuale lidhen me vullnet të lirë midis palëve dhe për mosmarrëveshjet që mund të lindin gjatë ekzekutimit të detyrimeve kontraktore, juridiksionin për zgjidhen e tyre e kanë vetëm organet gjyqësore.

Konkretisht, ne gjykojmë se është e nevojshme të bëhen ndryshime në:

Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë;

Hartimin, në bashkëpunim me Bankën Boterore, të një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve  financiare jobanka;

Përkthimin në ligje të ndryshimeve rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, mbi vendosjen e tavaneve për penalitetet dhe normat e interesit;

Shndërrimin e të gjitha subjekteve financiare jobanka në shoqëri aksionare, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me 2 nivele; dhe

Regjistrimin kontabël vetëm të principalit dhe interesit në rastin e blerjes së portofoleve, të paktën deri në përcaktimin e tavaneve ligjore për normat e intereresit. 

Institucionet financiare jo-banka ofrojnë kredi për një kategori të caktuar klientësh vulnerabël dhe biznesesh të vogla që kanë aftësi paguese shumë të ulët. Aktualisht, në Shqipëri veprojnë 26 subjekte financiare jo banka, të cilat përbëjnë vetëm 6% të portofolit të kredisë së sistemit, pra të tregut të kredidhënies. Përveç ofrimit të kredive, janë rreth 5 subjekte që blejnë edhe portofolin e kredive me probleme.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat