Shqipëria Postuar më 28 Prill 2023, 10:55

IPARD III, Krifca: Fituam besimin e BE-së, shtohen sektorët që do të mbështeten!

Nga SCAN TV
IPARD III, Krifca: Fituam besimin e BE-së, shtohen sektorët që do

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi sot se IPARD II, programi i Bashkimit Europian për mbështetjen e subjekteve në zinxhirin nga ferma deri tek agro-përpunimi dhe zhvillimi i zonave rurale në Shqipëri po rezulton i suksesshëm.

Krifca mori pjesë në takimin e I-rë të Komitetit të Monitorimit të Programit IPARDIII 2021-2027, që u zhvillua në Pezë, të Tiranës një prej bujtinave të mbështetura nga ky program ku ishin pjesëmarrës gjithashtu edhe përfaqësues të lartë të DG-Agrit të Komisionit Europian, Delegacionit të BE-së në Shqipëri si dhe aktorë nga të gjithë sektorët e linjës dhe sipërmarrjes private.

Ministrja informoi se ka përfunduar tashmë puna përgatitore që edhe IPARD III të jetë po aq i suksesshëm, duke patur në fokus masa të reja mbështetëse edhe për fermerët e rinj dhe gratë që të mos braktisin zonat rurale.

Ajo tha se qasja, orientimi i fermerëve dhe sipërmarrjeve që kanë zgjedhur të merren me një sektor të vështirë siç është bujqësia, drejt formalizimit, ekonomizimit dhe të bërit biznes sipas rregullave të BE-së tregon se fermerët tanë, janë ata të parët që na kanë futur në BE.

“Ishte pikërisht kjo bazë pozitive dhe angazhimi ynë gjatë saj që ndikoi në Vendimin e Komisionit Europian më datë 9 Mars 2022, me një buxhet grant shtesë (BE dhe Qeveri Shqiptare) me 146 milionë Euro ose rreth 52 milionë Euro ose 55% më shumë sesa Programi IPARD II,” tha ajo.

Sipas njoftimit instrumenti do të ndihmojë që të gjenerohen më shumë se 79 milionë euro investime private, të cilat do të prodhojnë vlerë të shtuar në bujqësi, blegtori, agro-përpunim dhe kjo mbështetje e BE-së, së bashku me kontributet kombëtare publike dhe private, do të injektojë në total mbi 225 milionë euro investime nga 169.9 milionë euro që janë nën Programin IPARD II) në zonat rurale të Shqipërisë.

Ajo tha se, objektivi ambicioz i qeverisë është zhvillimi i një bujqësie të qëndrueshme, nën moton e objektivave të BE-së përsa i takon Agjendës së Gjelbër 2030, ku ne kemi angazhime serioze për rritjen e prodhimit organik. Këto masa, vijoi ajo, janë pjesë e strategjisë së re të bujqësisë, dokument i cili drejton punën tonë për shtatë vitet në vijim. Për herë të parë përmes IPARD II do të zbatohet qasja LEADER, një program që ka transformuar zhvillimin rural në Europë.

Në njoftimin për media theksohet se programi IPARD III do të ndihmojë për herë të parë edhe investimet në infrastrukturën publike në zonat rurale për të sjellë më pranë produktet bujqësore me tregjet ekzistuese, apo të reja që mund të ndërtohen në kuadër të kësaj mase. Gjithashtu nënvizohet se krahas masave të reja të përfshira në këtë program, janë parashikuar edhe sektorë të rinj, që marrin fokus kryesor të tillë si: sektori i Ullirit dhe vajit të Ullirit; bimët mjekësore dhe aromatike dhe përpunimi i produkteve të peshkimit.

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat