Shqipëria Postuar më 23 September 2026, 11:05

Imobiliarët, hendek formalizimi - Raporti: Konkurrenca e pandershme ushqen informalitetin

Nga Diamila Leka

tregu shtepive

Sipas raportit të vrojtimit, tregu i ndërmjetësimit imobiliar paraqet një hendek mes pajtueshmërisë formale dhe informalitetit të perceptuar nga profesionistët e sektorit. 91.43% e agjencive të përfshira në vrojtim rezultojnë të licencuara, ndërsa 85.71% e të anketuarve kanë licencë personale. Por, pavarësisht këtij niveli formalizimi brenda kampionit, perceptimi për tregun në tërësi është dukshëm më kritik. Formalizimi i tregut vlerësohet mesatarisht me vetëm 2.44 pikë në një shkallë nga 1 në 5, ndërsa 52.86% e të anketuarve e cilësojnë tregun informal ose shumë informal.

Dhe konkurrenca nga operatorët pa licencë nuk shihet si një fenomen sporadik. 97.86% e profesionistëve thonë se kanë hasur ndërmjetës të palicencuar, ndërsa 46.43% i hasin të paktën një herë në muaj.  Sipas vlerësimit të vetë profesionistëve, hendeku shkon edhe më tej. Vetëm 37.9% e agjentëve që operojnë në treg vlerësohen si plotësisht të formalizuar dhe të licencuar, ndërsa 34.9% konsiderohen plotësisht informalë dhe 27.2% pjesërisht të formalizuar. Informaliteti shfaqet në disa forma, duke nisur që nga hyrja në profesion. 80% e të anketuarve identifikojnë ushtrimin e aktivitetit pa licencë, por me marrje komisioni, si një nga format kryesore të informalitetit.

Ndërsa në fazën e dokumentimit dhe pagesës, 53.57% raportojnë marrëveshje verbale, 45% moslëshim fature dhe 39.29% komisione cash të padeklaruara. Por çfarë e ushqen këtë situatë? Sipas 75% të të anketuarve, faktori kryesor është konkurrenca e pandershme, një peshë që është 32 pikë përqindje më e lartë se faktori i dytë i identifikuar në vrojtim. Raporti evidenton kështu një treg ku licencimi është i lartë brenda segmentit të organizuar, por ku vetë profesionistët perceptojnë një prani të konsiderueshme të aktivitetit informal jashtë këtij segmenti. Kjo, sipas vrojtimit, krijon një hendek të dukshëm mes rregullave formale dhe mënyrës se si funksionon një pjesë e tregut në praktikë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat