Shqipëria Postuar më 23 September 2026, 10:21

Investim në agroturizëm - FSHZH, 205 mln lekë për fazën e tretë në “Ferma e Dijes” Korçë

Nga Ernilda Luzi

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur garën për fazën e tretë të projektit “Ferma e Dijes dhe Agroturizmit të Mollëve”, në Korçë. Fondi limit i parashikuar për këtë investim është rreth 205 milionë e 598 mijë lekë.

Projekti synon transformimin e aseteve publike në një hapësirë moderne, ku aktiviteti bujqësor ndërthuret me agroturizmin, edukimin dhe promovimin e produkteve vendase.

Sipas projektit do të ndërtohet një hapësire multifunksionale për degustimin, ekspozimin dhe shitjen e produkteve të fermës së mollëve. Objekti do të shërbejë si pika kryesore e mikpritjes për vizitorët, të cilët do të kenë mundësi të njihen me produktet, procesin e përpunimit dhe aktivitetin e fermës.

Referuar dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, ndërtesa është konceptuar njëkatëshe, me arkitekturë bashkëkohore, por e integruar me karakterin rural dhe peizazhin bujqësor të zonës. Hapësirat do të kenë ndriçim natyror dhe lidhje vizuale me pemishtet përreth.

Produktet e përdorura duhet të jenë të certifikuara dhe në përputhje me standardet europiane CE dhe specifikimet teknike të projektit.

Pjesë e investimit është edhe Qendra Didaktike dhe Kërkimore, e konceptuar si një hapësirë për edukim, kërkim dhe bashkëpunim profesional në fushën e agroturizmit, kultivimit të mollës dhe përpunimit të produkteve bujqësore. Qendra do të ofrojë ambiente për trajnime profesionale, seminare, ëorkshop-e dhe demonstrime praktike, duke synuar të shërbejë si pikë referimi për fermerët, studentët, studiuesit dhe vizitorët e interesuar për zhvillimet në sektorin agro-ushqimor.

Me këtë fazë të projektit synohet krijimi i një hapësire ku prodhimi bujqësor, kërkimi, edukimi dhe turizmi të funksionojnë në të njëjtin model zhvillimi, duke e kthyer fermën e mollëve në një destinacion për prodhimin, promovimin dhe përvojën turistike, theksohet në dokumentin e Agjencisë së Prokurimit Publik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat