Analiza Postuar më 23 September 2026, 01:40

Gratë diplomohen më shumë- Por burrat vijojnë të dominojnë në tregun e punës

Nga Eldiona Serani

-900-0-1781255189xmenwoman-14914be1ac14e58156a5114e5771c55f04862ef6-360.jpg

Të dhënat e publikuara nga INSTAT në publikimin “Gra dhe Burra” tregojnë ndryshimet, si në arsimim, ashtu edhe në pjesëmarrjen në tregun e punës.

Në vitin akademik 2024-2025, në arsimin e lartë u diplomuan gjithsej 28,939 studentë, ku vajzat përbënin 65.3% të të diplomuarve. Megjithatë, kjo peshë është ulur me 0.5 pikë përqindjeje krahasuar me vitin akademik 2023-2024.

Ndërsa në arsim vajzat përfaqësojnë shumicën e të diplomuarve, diferenca mes gjinive është më e dukshme në tregun e punës. Në vitin 2025, 82.7% e burrave të moshës 15-64 vjeç merrnin pjesë në forcat e punës, kundrejt 70.1% të grave.

Edhe shkalla e punësimit ishte më e lartë te burrat. 76% e burrave të kësaj grupmoshe ishin të punësuar, ndërsa te gratë kjo shifër ishte 62.7%.

Për gratë e punësuara, një pjesë e konsiderueshme vijon të jetë e angazhuar në punë pa pagesë në biznesin familjar. Sipas INSTAT, 55.2% e grave të punësuara 15-64 vjeç ishin të punësuara me pagë, ndërsa 25% ishin punëtore pa pagesë në biznesin e familjes.

Bujqësia mbetet sektori ku përqendrohet pjesa më e madhe e punësimit të grave, me 38.4% të grave të punësuara. Ndërkohë, në sektorët e tregtisë, transportit, hotelerisë, shërbimeve të biznesit dhe aktiviteteve administrative punonin 24.1% e grave dhe 31.1% e burrave të punësuar.

Diferencat shfaqen edhe te papunësia. Në vitin 2025, shkalla e papunësisë për grupmoshën 15-64 vjeç ishte 8.2% për burrat dhe 10.6% për gratë. Krahasuar me një vit më parë, papunësia u ul me 0.7 pikë përqindjeje te burrat, ndërsa te gratë u rrit me 0.6 pikë përqindjeje.

Një tjetër tregues lidhet me ndarjen e roleve jashtë tregut të punës. Ndër personat ekonomikisht joaktivë të moshës 15 vjeç e lart, 15.1% e grave deklaruan se përmbushja e detyrave shtëpiake ishte statusi i tyre kryesor, ndërsa kjo përqindje ishte vetëm 0.7% te burrat.Të dhënat tregojnë kështu një kontrast të dukshëm ku vajzat përbëjnë shumicën e të diplomuarve në arsimin e lartë, ndërsa burrat kanë pjesëmarrje dhe punësim më të lartë në tregun e punës.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat