Shqipëria Postuar më 27 Shtator 2024, 14:45

Hotel dhe parkim me 5 kate mbi tokë në QSUT - FSHZH hap tenderin me fond limit 17 mln euro

Nga SCAN TV
Hotel dhe parkim me 5 kate mbi tokë në QSUT - FSHZH hap tenderin me

Ola Mitre / SCAN

 

Teksa parkimi i automjeteve në kryeqytet është një nga problemet më të shpeshta të shoferëve, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka vendosur të aplikojë parkimin me kate mbi tokë. Ky dikaster ka hapur tenderin me fond limit prej rreth 17 mln euro me fokus përmirësimin e transportit urban dhe parkimeve, por gjithsesi objekti i kontratës përfshin edhe ndërtimin e një hoteli pranë parkimit.

Projekti ndodhet në territorin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në perëndim të ndërtesës ekzistuese të urgjencës dhe përbëhet nga dy ndërtesa me pesë kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Ndërtesa e parë do të shërbejë si parkim për automjetet dhe do të lidhet me ndërtesën e re të Mjekësisë së Përgjithshme dhe ndërtesën kryesore të urgjencës.

Ndërkohë që, ndërtesa e dytë do të jetë hotel dhe pozicionohet në veri të ndërtesës së parkimit e ndarë me një fugë 15 cm. Kjo ndërtesë ka gjithashtu 5 kate mbi tokë për shërbimet e pritjes dhe të logjistikës dhe 1 kat nëntokë që do të shërbejë për ambiente teknike në funksion të hotelit.

Në dokumentet e tenderit, FSHZH e argumenton kthimin e ambienteve publike në territorin e QSUT në parkim dhe hotel, me sigurimin e hapësirave të parkimit dhe faciliteteve të nevojshme, për funksionimin dhe qëndrueshmërinë e investimit.

“Ndërtimi i një objekti hotelerie do të sigurojë akomodimin e familjarëve që shoqërojnë pacientët e qendrës spitalore”, - thuhet ndër të tjera në dokumente, teksa mbetet e paqartë se kush do të jetë enti që do të menaxhojë dhe do të arkëtojë të ardhurat që do të vijnë nga funksionimi i parkimit dhe hotelit. Sipas të dhënave të FSHZH, numri i automjeteve që hyjnë, parkohen dhe dalin gjatë gjithë ditës në ambientet e QSUT është rreth 4.000 automjete në ditë apo 120.000 automjete në muaj.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat