Kosova Postuar më 14 Korrik 2023, 15:38

Guvernatori i ri i Bankës së Kosovës - Kush është Ahmet Ismaili?

Nga SCAN TV
Guvernatori i ri i Bankës së Kosovës - Kush është Ahmet

Parlamenti i Kosovës pas propozimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka zgjedhur Ahmet Ismailin për postin e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës - BQK.

Emërimi i tij duhet të bëhet nga Presidentja e vendit duke zyrtarizuar mandatin 5-vjeçar të Guvernatorit.

Ahmet Ismaili ka lindur në Podujevë, dhe studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, në Drejtimin Banka dhe Financa të Fakultetit Ekonomik. Përtej studimeve universitare,  Ismaili ka marrë edhe titullin doktor i shkencave ekonomike në drejtimin Banka dhe Financa, nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës.

Bazuar në CV-në e tij dhe profilin e tij në platformën LinkedIn, Guvernatori i ri i BQK-së ka mbi 18 vjet përvojë pune profesionale në nivele të larta drejtuese, si në industrinë private financiare, ashtu edhe në sektorin publik. Fillimisht, ai ka punuar si bankier në pozita të ndryshme përfshirë edhe pozita të larta menxheriale, si në sektorin bankar, ashtu edhe në atë të sigurimeve, duke vazhduar pastaj në role menaxhuese në sektorin publik.

Ismaili deri tani kishte postin e Drejtorit Menaxhues dhe Anëtarit të Bordit në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Kurse para këtij roli, ai ka mbajtur poste si ai i Drejtorit të Thesarit të Shtetit, për një mandat të plotë, ku paralelisht ka qenë edhe anëtar i Komitetit Kombëtar të Pagesave në BQK.

Ai ka shërbyer edhe si Anëtar Bordi dhe Anëtar i Komitetit të Auditimit në Fondin për Sigurimet Shëndetësore. Në këto role, Ismaili ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në institucionet kryesore financiare ndërkombëtare, siç janë sesionet dhe takimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, si dhe sesionet dhe takimet e Thesareve dhe Bankave Qendrore të shteteve të tjera, duke përfshirë rajonin, Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Guvernatori i ri është 39 vjeç, i martuar, ka tre fëmijë dhe jeton në Prishtinë bashkë me familjen.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat