Europa Postuar më 15 Prill 2023, 10:13

Grevat ngadalësojnë rimëkëmbjen nga kriza energjetike - Situata në Francë ka ndërprerë aktivitetin nga portet në termocentrale

Nga SCAN TV
Grevat ngadalësojnë rimëkëmbjen nga kriza energjetike -

Europa i mbijetoi shtrirjes më të rrezikshme të krizës së saj energjetike pa ndërprerje të konsiderueshme të furnizimit. Më pas punëtorët në Francë dolën në grevë, duke trazuar aktivitetet nga portet në termocentrale. Trazirat – në shenjë protestë ndaj reformës së propozuar të pensioneve nga presidenti Emmanuel Macron – nisën në janar, por kanë marrë vrull në gjashtë javët e fundit. Çmimet e energjisë elektrike janë rritur, anijet që transportojnë karburant janë devijuar nga brigjet e vendit dhe kombi ka djegur pjesën më të madhe të rezervave të gazit natyror.

Veprimet e punës në termocentralet bërthamore dhe hidrocentrale i kanë kushtuar ndërmarrjes Electricite de France SA rreth 1 miliard euro  në prodhim të humbur. Franca është zakonisht një central elektrik i energjisë europiane, por ndërprerjet kanë ardhur në një moment vendimtar. Rajoni po rimëkëmbet nga kriza e tij më e keqe e furnizimit në dekada, pasi Rusia ndërpreu rrjedhat e gazit në vazhdën e luftës së saj në Ukrainë. Energjia bërthamore franceze, baza e furnizimit me energji elektrike të vendit, është ndërprerë për muaj të tërë për shkak të ndalimit të reaktorëve.

Disa aktivitete në objektet energjetike kanë nisur të rimëkëmben pasi protestat kanë filluar të zbehen. Ndërsa Europa përpiqet të rikthehet në këmbët e saj, ajo po e bën këtë me një nga shtyllat e saj kryesore të energjisë të dobësuar. Vendi tashmë ka marrë një goditje serioze ndaj importeve të gazit natyror të lëngshëm. Flukset ranë me 1.1 milion ton nga shkurti në mars, kryesisht për shkak të ndërprerjeve nga grevat. Kjo llogaritet në rreth 650 milionë euro gaz natyror të lëngshëm, sipas Bloomberg.

Franca ka ‘gërmuar’ thellë në inventarët e saj të gazit për ngrohje dhe energji elektrike, me rezervat e saj të gazit më të ulëta se në vitin 2019. Vendet e magazinimit të vendit janë vetëm 29% plot, sipas të dhënave nga Gas Infrastructure Europe. Ndërsa kjo është pak më e lartë se mesatarja historike, ajo krahasohet me 65% në Gjermani dhe 56% për të gjithë Europën.

Qeveria franceze kohët e fundit u ka kërkuar bizneseve të vijojnë me kursimin e energjisë, veçanërisht duke inkurajuar më shumë punë nga shtëpia, për të reduktuar faturat e energjisë dhe për të ulur konsumin e karburantit në rrugë. Ashtu si me objektet e LNG-së, grevat ndaluan operacionet në terminalet e karburantit, rafineritë e naftës dhe fabrikat e petrokimikeve të Francës. Ndërkohë, qeveria franceze ka lëshuar më shumë se 3 milionë fuçi naftë bruto nga rezervat e saj strategjike që nga fillimi i marsit.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat