Rajoni Postuar më 11 Dhjetor 2023, 10:50

Gjithçka për faj të bullgarëve! - Maqedonia e Veriut nuk e përballon dot gazin rus

Nga SCAN TV
Gjithçka për faj të bullgarëve! - Maqedonia e Veriut nuk e

Në tenderin e ‘Elektrana Maqedonia e Veriut’ - ESM për blerjen e gazit për muajin dhjetor, thuhej se kërkohet që gazi natyror i ofruar të mos jetë nga Rusia. Por nëse gazi është rus, atëherë ofertuesi do të duhet të përfshijë të gjitha taksat dhe tarifat dhe kostot e tjera në çmim.

Gjithashtu, nga ESM kërkohet të konfirmojë se janë paguar të gjitha tarifat e transportit, për të shmangur një situatë ku shteti paguan 10 eurot e vendosura për megavat orë për gazin rus që kalon përmes Bullgarisë. Në tenderin për blerjen e gazit theksohet se kërkohet një çertifikatë për origjinën e gazit natyror, e cila garanton që gazi natyror nuk është me origjinë nga Federata Ruse, më pas një deklaratë nga personi përgjegjës i ofertuesit që nëse ka një tarifë për transferimin e gazit natyror me origjinë nga Federata Ruse, në përputhje me rregulloren e Republikës së Bullgarisë, ato shpenzime i shlyen ofertuesi.

Thënë ndryshe, aktualisht dy termocentralet që ngrohin Shkupin do të marrin një përzierje të gazit amerikan dhe azerbajxhanas nga kompania bullgare që bëri ofertën më të ulët në tenderin e prokurimit të gazit në dhjetor. Çmimi për të cilin ka rënë dakord kompania për shitjen e gazit natyror për muajin dhjetor 56 euro/MWh, fikse për një sasi të ndryshueshme në përputhje me kërkesat.

Përveç termocentraleve, gazi natyror përdoret si burim kryesor i energjisë edhe nga 100 objekte më të mëdha industriale në vend.

Pasi ESM mori dy termocentrale nga Balkan Energy Group, deri më tani në të gjithë tenderët mujorë për blerjen e gazit natyror, ofertuesve iu kërkua vetëm të tregonin vendin e origjinës së gazit natyror.

Përderisa Maqedonia e Veriut është e detyruar të kërkojë alternativa për blerjen e gazit natyror, qeveria ende pret përgjigje nga Bashkimi Europian dhe Sofja zyrtare për të liruar kapacitetin për blerje nga një vend tjetër, sepse në këtë mënyrë taksa nga Bullgaria nuk do të zbatohet për këtë vend.

Kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, tha se vendi i tij deri më tani nuk ka shkelur asnjë ligj apo rregullore të Bashkimit Europian. Gati dy muaj më parë, Bullgaria vendosi një tarifë për transferimin e gazit rus përmes territorit të saj. Përkundër taksës së vendosur, autoritetet në Maqedoninë e Veriut theksuan se nuk do të ketë rritje të çmimit të ngrohjes.

Dorina Kurtaj /SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat