Bota Postuar më 11 Dhjetor 2023, 10:49

Mungesë e fuqisë punëtore në fabrikat e Kinës - Problemi është më i mprehtë në industrinë në rritje të automjeteve elektrike

Nga SCAN TV
Mungesë e fuqisë punëtore në fabrikat e Kinës -

Kina po ndjek fatin e ekonomive të tjera të zhvilluara teksa kërkon punëtorë të kualifikuar, kryesisht inxhinierë dhe elektricistë të aftë, që do të zhyten në industrinë e automjeteve elektrike, industrinë më të madhe dhe me rritjen më të shpejtë në botë. Ministria e industrisë e vendit paralajmëroi që në vitin 2016 se sektori do të kishte nevojë për 1.2 milionë punëtorë në vitin 2025, ndërsa Kina kishte vetëm 170.000 njerëz me aftësitë e kërkuara. Në të njëjtën kohë, numri i adoleshentëve që zgjedhin shkollat e mesme teknike ra me 25% midis 2010 dhe 2021, ndërsa të rinjtë kinezë i përbuzin punët teknike në fabrika, edhe nëse paguhen shumë mirë sipas standardeve kineze me paga vjetore të paktën 50.000 dollarë.

Fuqia e ndërtimit dhe zgjerimit të fabrikës së automjeteve elektrike në Kinë ka bërë që elektricistët dhe ekspertët e robotikës të kërkohen. Më shumë se 1.5 milion njerëz tani punojnë për dhjetëra kompani të automjeteve elektrike në Kinë dhe furnizuesit e tyre. Më e madhja prej tyre, BYD, ka 570.000 punëtorë, krahasuar me 610.000 të punësuar në mbarë botën nga të tre prodhuesit kryesorë të automjeteve në Detroit në SHBA si General Motors, Ford dhe Stellantis. Industria e lëvizshmërisë elektronike në Kinë po kthehet me shpejtësi drejt automatizimit për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore.

Presidenti kinez Xi Jinping që në vitin 2014 u kishte bërë thirrje qeverisë dhe zyrtarëve të Partisë Komuniste, si dhe bizneseve, të krijonin miliona punëtorë të cilësisë së lartë dhe personel teknik të aftë. Por qëllimi i tij u përplas me ambiciet në rritje të prindërve kinezë të cilët nuk donin t'i dërgonin fëmijët e tyre në shkolla të mesme profesionale për të fituar aftësi teknike.

Kompanitë në Kinë kanë mbetur prapa vendeve të tilla si Gjermania në krijimin e programeve afatgjata të praktikës për të trajnuar menaxherët e ardhshëm të fabrikave. Kërkesa është rritur aq shpejt sa sistemi arsimor nuk ka qenë në gjendje të vazhdojë pasi duhen vite për të përgatitur dhe trajnuar në mënyrë adekuate teknikë të lartë. Rënia e madhe e nivelit të lindjeve shton urgjencën e sfidës.

Numri i të rinjve që mbushin 18 vjeç çdo vit në Kinë ka rënë me më shumë se 40% që nga mesi i viteve 1980. Nisur nga të gjitha sa më sipër, Kina, dhe veçanërisht industria e makinave elektrike, po i drejtohet me shpejtësi automatizimit për të përballuar mungesën e punëtorëve. Sipas Federatës Ndërkombëtare të Robotikës, bizneset në Kinë instaluan më shumë robotë industrialë në vitin 2022 sesa pjesa tjetër e botës së bashku. Ajo i tejkaloi konkurrentët e saj më të mëdhenj në industri, Japonia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Koreja e Jugut dhe Gjermania. Por robotët mund të plotësojnë vetëm një pjesë të kërkesës në rritje të Kinës për teknikë fabrikash.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat