Shqipëria Postuar më 14 Maj 2023, 14:33

Gjirokastra, qarku që po i “shuhet” popullsia - Pak lindje dhe migrim i lartë, ekonomia “me sytë” nga turizmi

Nga SCAN TV
Gjirokastra, qarku që po i “shuhet” popullsia - Pak lindje dhe

Pavarësisht se është një nga qarqet me pozitë të favorshme gjeografike, me bukuri natyrore dhe potenciale të larta turistike, duket se Gjirokastra “po shuhet”, si pasojë e nivelit të ulët të lindjeve dhe ikjes së banorëve. Në rang vendi, Gjirokastra regjistron nivelin më të ulët të rritjes natyrore, teksa ky tregues rezulton në vlera negative. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë qark numri i vdekjeve tejkalon atë të lindjeve, duke bërë që shkalla e natyrore e rritjes së popullsisë të jetë – 10.4 për 1000 banorë.

Numri total i banorëve në Qarkun Gjirokastër është 55 278, duke u klasifikuar si qarku me numrin më të ulët të popullsisë në rang vendi. Përveç shtesës negative të popullisë, qarku që përbëhet nga 7 bashki e më konkretisht: Gjirokastër, Libohovë, Dropull, Tepelenë, Memaliaj, Përmet dhe Këlcyrë, regjistron edhe shifra të larta të migrimit të brendshëm. Shumë qytetarë të këtyre bashkive kanë zgjedhur të mos jetojnë më në këto qytete e të zhvendosen drejt zonave të tjera të Shqipërisë, teksa shkalla e migrimit të brendshëm neto për 1 000 banorë është -44.4, duke u lënë pas vetëm nga Qarku Dibër.

Kjo, pavarësisht faktit se paga mesatare mujore është ndër më të lartat në të gjithë vendin. Më konkretisht, paga mesatare mujore në këtë qark është 53 835 lekë, duke u lënë pas vetëm nga Tirana ku paga mesatare mujore është rreth 10 mijë lekë më e lartë. Gjithsesi, Gjirokastra është qarku me shkallën më të lartë të pjesëmarrjes në forcat e punës, ku përfshihet popullsia 15 - 64 vjeç. Ky tregues ndikon edhe në drejtim të punësimit, teksa sipas të dhënave zyrtare në këtë qark regjistrohet edhe një nga shkallët më të ulta të papunësisë në rang vendi, duke u lënë pas vetëm nga Qarku Kukës. Aktivitete kryesore ekonomike në rajonin e Gjirokastrës janë tregëtia dhe industria e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit për ndërtim dhe atij dekorativ.

Ndërkohë që, vitet e fundit turizmi po tregon se është një nga shpresat më të mëdha për zhvillimin ekonomik të qarkut, bazuar kjo dhe në trashëgiminë unikale kulturore, historike dhe arkitekturore. Gjirokastra u klasifikuan nga ICOMOS si pasuri me vlera botërore dhe unikale, e më pas UNESCO në mbledhjen e Pekinit në vitin 2005, e listoi si kërkesë dhe e aprovoi duke e bërë pjesë të Trashëgimisë Kulturore Botërore.  Gjithsesi, ndonëse numri i vizitorëve është në rritje, sfidë duket se mbetet cilësia e shërbimeve në sektorin e turizmit.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat