Shqipëria Postuar më 14 Maj 2023, 10:30

MBIKQYRJA DHE VËZHGIMI/ Angazhimi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Nga SCAN TV
MBIKQYRJA DHE VËZHGIMI/  Angazhimi për mbarëvajtjen e procesit

Mbarëvajtja e procesit të votimeve të 14 majit është në vëmendjen e strukturave shtetërore, vëzhguesve vendas dhe të huaj. Parapërgatitjet që dita e zgjedhjeve të shkojë sa më mirë kanë nisur me kohë.

Policia e shtetit ka njoftuar se do të anagazhojë 5500 policë për garantimin e sigurisë dhe  mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 14 majit. Ata do të kenë detyra për qëndrim në distancë pranë qendrave të votimit dhe KZAZ-ve për të shmangur çdo incident, dhe do të angazhohen për transportimin e materialeve zgjedhore.

Gjatë 3 muajve të fundit rreth 7 mijë punonjës kanë marrë trajnimin e duhur për zgjedhjet lokale të 14 majit në bashkëpunim me OSBE dhe KQZ. Pjesa më e madhe e tyre do të angazhohen për transportimin dhe ruajtjen e materialeve zgjedhore. Ndërhyrja e tyre brenda ambienteve të QV-ve bëhet për raste emergjente ose përndryshe vetëm me kërkesë nga kryetari i qendrës së votimit.

Pas përfundimit të procesit të votimit në orën 19:00, përmes një procedure të përcaktuar, policia do të bëjë shoqërimin e kutive të votimit drejt KZAZ-ve. Prej disa ditësh, Policia e Shtetit ka marrë në mbrojtje KZAZ-të në të gjithë vendin, aty ku do të kryhet procesi i numërimit të votave. Aty tashmë kanë mbërritur materialet e nevojshme, si kamerat, objektet e numërimit, etj, për të cilat nuk është raportuar asnjë problematikë gjatë transportimit të tyre.

Në Shqipëri, vëzhguesit ndërkombëtarë të ODIHR-it (Zyra e OSBE për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut) nisën me 6 Prill misionin e monitorimit të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Misioni do të drejtohet nga ambasadorja Audry Glover, e cila ka qenë në krye të vëzhguesve ndërkombëtarë, në disa zgjedhje të zhvilluara në Shqipëri.

Së bashku me të janë dhe 13 ekspertë zgjedhjesh, ekspertë politikë, ligjorë dhe analistë mediash, ndërsa 24 vëzhguesë afatgjatë do të shpërndahen në të gjithë vendin që prej 13 prillit. Anëtarët e misionit vijnë nga 21 shtete pjesëmarrëse të OSBE-së. ODIHR-i u ka kërkuar

Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së të dërgojnë 300 vëzhgues afatshkurtër që do të duhet të angazhohen në ditën e zgjedhjeve dhe në procesin e numërimit të votave.

vëzhguesit do të monitorojnë nga afër procesin e regjistrimit të votuesve, aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe organeve përkatëse qeveritare, legjislacionin lidhur me zgjedhjet dhe zbatimin e tij, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të lidhura me zgjedhjet. Si pjesë e vëzhgimit, misioni do të monitorojë edhe mbulimin mediatik të fushatës.

Kodi Zgjedhor parashikon vëzhgim jopartiak të brendshëm dhe ndërkombëtar të të gjitha fazave të procesit zgjedhor. Partitë dhe kualicionet parlamentare mund të emërojnë përfaqësues të përhershëm në KQZ, ndërsa subjektet e tjera zgjedhore kanë të drejtë të emërojnë përfaqësues vetëm për periudhën zgjedhore.

Subjektet zgjedhore, pasi janë regjistruar, mund të caktojnë një vëzhgues në KZAZ-të dhe KQV-të përkatëse dhe në çdo tryezë numërimi të votave. Koalicionet mund të caktojnë deri në tre përfaqësues për komision ose tavolinë numërimi, pavarësisht nga numri i partive në koalicion.

Afati I fundit i paraqitjes së ankesave për akreditim për vëzhguesit vendas jopartiakë është 15 ditë para ditës së zgjedhjeve, dhe 72 orë për vëzhguesit ndërkombëtarë. Që nga 22 prilli, KQZ ka regjistruar gjithsej 180 vëzhgues vendas nga 10 organizata të shoqërisë civile dhe 131 vëzhgues ndërkombëtarë.

Raporti i ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, vuri në dukje ndër të tjera “avantazhet e rëndësishme që Partia qeverisëse përfitoi nga të qenit pushtet, përfshirë edhe përmes kontrollit të administratave lokale dhe shpërdorimit të burimeve administrative”.

Sipas ambasadores Glover, që procesi të ketë integritet “zgjedhësit do të duhet te mund të bëjnë zgjedhje reale të mirëinfomuar mes kandidatëve të ndryshëm. Kandidatët duhet të luajnë në kushte të barabarta dhe votuesit duhet të kenë të drejtën universale për të votuar. Zgjedhësit duhet të kenë mundësinë të votojnë të lirë, të fshehtë, të sigurt dhe vota të numërohet korrekt”, nënvizoi ajo.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat