Shqipëria Postuar më 25 Nëntor 2025, 14:32

Mundësi punësimi për çdo nivel arsimor - AKPA publikon 6 mijë vende vakante

Nga Ernilda Luzi

Mundësi punësimi për çdo nivel arsimor - AKPA publikon 6

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive bën të ditur se janë 6000 vende të lira pune, të cilat janë të shpallura në portalin puna.gov.al, duke ofruar një gamë të gjerë mundësish punësimi në sektorë të ndryshëm.

Qindra pozicione në fusha të ndryshme profesionale janë të hapura, duke përfshirë role, si: ekonomist, menaxher, specialist komunikimi, inxhinier mekanik, zhvillues softuerësh, nëpunës zyre, inxhinier civil, drejtues në tregti, inxhinier elektroteknologjie, por edhe një sërë profesionesh të tjera si: punonjës pastrimi, punëtor ndërtimi, ndihmës kuzhinier, rrobaqepës, sistemues malli, prodhues këpucësh, kamarier, shitës në dyqane, kuzhinier dhe banakier.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, këto vende pune janë të aksesueshme për të gjitha nivelet arsimore, nga ata që kërkojnë punë pa eksperiencë të mëparshme deri tek profesionistët e specializuar, duke krijuar kështu mundësi konkrete punësimi për persona me profile të ndryshme profesionale.

Aplikimi mund të bëhet online përmes portalit zyrtar puna.gov.al, ku në pak minuta, qytetarët mund të regjistrohen, si dhe të përzgjedhin pozicionin që u përshtatet.

Për ata që kanë nevojë për orientim apo ndihmë gjatë procesit të aplikimit, Agjencia fton qytetarët të vizitojnë zyrat e punës më të afërta, ku specialistët janë në dispozicion për t’u ofruar asistencë të drejtpërdrejtë. Gjithashtu, komunikimi është i hapur edhe përmes email-it dhe aplikacionit WhatsApp, duke e bërë procesin sa më të lehtë dhe të aksesueshëm për të gjithë.

Individët e interesuar mund të shfletojnë në portal të gjitha pozicionet e disponueshme dhe të aplikojnë, për të përfituar nga mundësitë e hapura në tregun e punës.

Synimi mbetet lehtësimi i punësimit në vend, për të ndihmuar qytetarët në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt profesionale.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat