Shqipëria Postuar më 14 Maj 2023, 11:28

Sfidat e bashkive për zhvillimin e zonave urbane

Nga SCAN TV
Sfidat e bashkive për zhvillimin e zonave urbane

Qytetarët shqiptarë në zonat urbane të vendit përballen përditë me probleme të shumta. Menaxhimi i mbetjeve urbane, furnizimi me ujë të pijshëm, transporti urban dhe infrastruktura përkatëse deri tek siguria janë problem me të cilat ndeshemi përditë.

Fakti është që përgjatë viti 2022 pati një  përmirësim i bashkive në  shërbimet për qytetarët. Sipas Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, pavarësisht këtij përmirësimi ende nevojat janë shumë të mëdha. Sipas raportit, pushtetit vendor i duhet mbështetje për rritje kapacitetesh, menaxhim dhe burime financiare. Bashkitë janë të nënfinancuara në raporte me përgjegjësitë, funksionet dhe nevojat reale që ato kanë.

Zgjedhjet vendore të 14 majit janë të tretat që prej miratimit të reformës territorial- administrative në 61 bashki , në vitin 2014. Reforma evidentoi për herë të parë, që në atë kohë kapnin shifrën e 12 miliardë lekëve, ose rreth 107 milionë euro. Bëhet fjalë për pagesa të pakryera në pjesën më të madhe për investime, si dhe ndër të tjera për mallra, shërbime dhe vendime gjyqësore. Pas 8 vitesh stoku i këtyre detyrimeve ka ardhur në ulje progresive duke u përgjysmuar.

Detyrimet e prapambetura të bashkive konsiderohen problematike sipas ligjit për financat e vetëqeverisjes vendore, kur kapin një vlerë nga 15 -80%, të shpenzimeve të njësive vendore. Në këtë kategori sipas Institutit për Bashkitë e Shqipërisë aktualisht hyjnë 18 nga 61 bashki në vend, ku ndër më problematiket ato të Kavajës, Vorës, Dibrës dhe Cërrikut. Alarmi i kuq bie për bashkinë e Pustecit. Detyrimet e saj të prapambetura e kalojnë pragun 80% të shpenzimeve, dhe ajo konsiderohet nga ekspertët në pamundësi pagese.

Sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2022 Bashkia e Tiranës i ka pesëfishuar detyrimet e prapambetura të përfshira në zërin “të tjera.” Bëhet fjalë për rreth 5 milionë e 800 mijë euro më shumë se sa një vit më parë. Një shifër të lartë, prej 4 milionë e 600 mijë eurosh detyrime të prapambetura në të njëjtin zë, ose 60 % të totalit të detyrimeve të prapambetura të saj, ka edhe bashkia e Kavajës, por e pandryshuar në dy vitet e fundit.

Detyrimet e prapambetura në total të 61 bashkive për 2022 u ulën rreth 10% krahasuar me vitin paraardhës, por 14 prej duke përfshirë edhe Tiranën, Kavajën, Dibrën apo Kuçovën etj kanë shtuar borxhin. Ndërsa bashkitë Durrës, Berat, Lezhë, Roskovec etj kanë ulur detyrimet e prapambetura. Totali i detyrimeve të prapambetura për 2022 arrin në vlerën e 5,9 mld lekëve sipas raportit “Qeverisja Vendore në Shqipëri” të Institutit të Bashkive të Shqipërisë.

Pavarësisht se ka një reduktim të borxhit, vetëm 43 bashki në rang vendi rezultojnë pa probleme financiare, ndërsa 18 bashki të tjera shfaqen me vështirësi dhe probleme financiare. Referuar të dhënave të raportit 14 bashkitë me rritje të detyrimeve të prapambetura janë: në bashkinë Tiranë për vitin 2022 detyrimet e prapambetura u rritën 80,6% krahasuar me 2021, në Përmet 637%, në Libohovë 407%, në Shijak rreth 367%, Dropull 228%, në Kurbin 231%, në Dibër u rritën rreth 180%, në Devoll rreth 124%, Në Pustec 121,2%, në Peqin rreth 62%, në Kuçovë 39,3%, në Urën Vajgurore 16,8%, në Selenicë 13,3% dhe në Kavajë 2,1%.

Bashkitë me uljen më të lartë të borxheve janë, si: bashkia Kolonjë ku detyrimet u ulën 94%, në Maliq 83%, në Belsh detyrimet u ulën rreth 80%, në Lezhë rreth 66%, në Durrës 64%, në Lushnjë gjithashtu u ulën rreth 64%, në Librazhd rreth 50% etj.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat