Shqipëria Postuar më 5 Shtator 2024, 16:27

“Filtër kontrolli klientëve të subjekteve financiare jobanka” - Sejko: Kemi rishikuar rregulloren e riskut operacional. Synojmë uljen e normës së interesit

Nga SCAN TV
“Filtër kontrolli klientëve të subjekteve financiare

Ledina Elezi/SCAN

Banka e Shqipërisë ka parashikuar kontrolle më të rrepta ndaj institucioneve financiare jobanka dhe klientëve të tyre. Si rezultat i kufizimeve të reja, shumë konsumatorë do të përjashtohen nga e drejta për kredi, por klientët e rregullt dhe me aftësi të mirë paguese, pritet të përfitojnë nëse Banka vendos të ulë normën e interesit në vijim.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Gent Sejko është shprehur se do të kryhen analiza më të forta financiare kundrejt humarrësve të subjekteve jobanka dhe konkretisht atyre të mikrofinancës.

“Do të ketë një filtrim më të mirë të klientëve, të cilët janë huamarrës të këtyre institucioneve, duke parashikuar ose parandaluar një moshë të caktuar, një aftësi të caktuar ose duke marrë në analizë më mirë financat e tyre personale dhe aftësinë e tyre për të qenë humarrës të institucioneve financiare jobanka.”

Së fundmi, Banka ka rishikuar edhe rregulloren e riskut operacional për bankat dhe institucionet financiare jobanka.

“Kjo rregullore konsiston në rritjen e kontrolleve kundrejt këtyre institucioneve, në drejtim të raportimeve që do të bëjnë në Bankën e Shqipërisë, në drejtim të kontrolleve të brendshme, në drejtim të organizimit dhe menaxhimit të proceseve të tyre të brendshme dhe gjithashtu në drejtim të kërkesave për kapital, të provigjionimit dhe të gjithë kërkesave të tjera rregullative që kanë të bëjnë me rreziqet operacionale brenda kësaj kategorie institucionesh.”

Aktualisht, Banka Qendrore po analizon normat e interesit dhe komisionet që aplikohen nga subjektet financiare jobanka dhe konkretisht institucioneve të mikrofinancës, në drejtim të uljes së tyre. Gjithashtu, po analizohet edhe norma efektive e interesit për të parë efektet e mëtejshme që do të ketë lidhur me uljen e normës së interesit për institucionet e mikrofinancës në vazhdim.

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat