Bota Postuar më 18 Dhjetor 2023, 19:38

Euro, e qëndrueshme pranë 1.09 USD - Investitorët presin takimin 2-ditor të Bankës së Japonisë

Nga SCAN TV
Euro, e qëndrueshme pranë 1.09 USD - Investitorët presin takimin

Euro është rritur lehtë në sesionin e sotëm, përballë dollarit amerikan, ndërsa investitorët po presin takimin 2-ditor të Bankës së Japonisë, që filloi sot dhe përfundon të martën. Për këtë arsye, jeni ka rënë lehtë përballë dollarit, pasi investitorët parashikojnë se banka qendrore do t’i japë fund politikës monetare ultra-lehtësuese.

Në tregun më të gjerë, monedhat e nisën javën me kujdes, pas luhatjeve të mëdha javën e kaluar, kryesisht të nxitura nga mbledhjet e bankave qendrore, të cilat përfshinin vendimet e Rezervës Federale, Bankës Qendrore Evropiane dhe Bankës së Anglisë.

Ndërkohë, jeni japonez ka pasur disa javë të paqëndrueshme, ndërsa tregjet përpiqen të parashikojnë se sa shpejt Banka e Japonisë, mund të largohet gradualisht nga politika e saj me norma negative të interesit. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron pranë nivelit më të ulët në 4 muajt e fundit.

Monedha e gjelbër, cila në pjesën më të madhe të viteve 2022 dhe 2023, ka gjetur mbështetje nga rritjet agresive të interesave nga Rezerva Federale, ra me afërsisht 1.3% kundrejt shportës me valutat e tjera, javën e kaluar, në vazhdën e takimit të politikave të Rezervës Federale.

Banka Qendrore Evropiane dhe Banka e Anglisë gjithashtu i mbajtën të pandryshuara normat e interesit, por ndryshe nga Rezerva Federale paralajmëruan investitorët ndaj pritshmërive për uljen e interesave në të ardhmen e afërt.

Euro po tregtohet pranë 1.09 dollarëve, ndërsa po gjendet nën presion nga parashikimet e zymta për ekonominë e Eurozonës. Të dhënat e javës së kaluar treguan se rënia e aktivitetin të biznesit të bllok u thellua në dhjetor, duke treguar se ekonomia është pothuajse me siguri në recesion.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat