Shqipëria Postuar më 18 Dhjetor 2023, 14:24

86% e ullirit të prodhuar përqendrohet vetëm në 4 qarqe - Të dhënat e INSTAT/ Vetëm 18% shkon për konsum tavoline

Nga SCAN TV

86.8 % e prodhimit total të ullirit në vendin tonë është i përqendruar vetëm në 4 qarqe. Referuar Vjetarit Statistikor Rajonal publikuar nga INSTAT,  në vitin 2022, prodhimi i ullinjve (në blloqe dhe të shpërndarë) rezulton në 157.7 mijë ton dhe ka një rritje prej 43,16% krahasuar me vitin 2021.

Por duket se harta e prodhimit nuk është e njëjtë në të gjithë vendin. Sipas INSTAT, mbi 80% e prodhimit të ullirit në vend është shënuar në qarqet Fier  i cili mban vendin e parë me 27,8%, ndjekur nga Berati  me 27,1%, Elbasani me 17,4% dhe më pas renditet qarku Vlorë me 14,5%. Ndërsa qarqet e tjera zënë një peshë prej 13,2% të prodhimit të ullirit gjithsej.

Ullinjtë e kultivuar janë në dy varietete kryesore, ullinjtë varietet për vaj që përfaqësojnë 81,7% të  prodhimit ullirit dhe ullinjtë varietet për tavolinë që zënë 18,3%. Nisur dhe nga kushtet klimatike, vihet re që niveli më i lartë i prodhimit të ullirit është në zonat fushore dhe bregdetare.

Niveli më i ulët i prodhimit të ullinjve është shënuar në qarqet Gjirokastër, Shkodër dhe Lezhë. Zonat veri-lindore dhe jug-lindore, me klimë të ftohtë, si qarqet Kukës, Korçë dhe Dibër janë zona që nuk kultivojnë rritjen e ullirit.

Por ndërsa viti i kaluar ka pasur sezon të mbarë të prodhimit të ullirit, duket se ky vit për shkak të thatësirave ka më pak sasi në dispozicion, çka ka bërë që edhe çmimi i tregtimit të vajti të ullirit të rritet lehtë krahasuar me një vit më parë. Aktualisht një litër vaj ulliri shitet mesatarisht 800 lekë.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat