FunData Postuar më 15 Shtator 2025, 10:36

Apple lançon serinë e fundit të iPhone/ Sa muaj punë i duhet një shqiptari për ta blerë?

Nga Eldiona Serani

Apple lançon serinë e fundit të iPhone/ Sa muaj punë i

iPhone është një nga seritë më të preferuara në mbarë botën, duke pasur parasysh të gjitha avancimet që ka sjellë në teknologjinë e telefonave inteligjentë. Sipas statistikave të Global Stats, në Shqipëri vërehet një rritje e ndjeshme e përdorimit të iPhone, duke e shtyrë markën Apple të fitojë gjithnjë e më shumë terren ndaj Samsung, i cili prej vitesh ka qenë marka më e përdorur e smartfonëve në vend.

Duke qenë një nga markat më të kërkuara, shumë persona shprehin dëshirën për të pasur modelin më të fundit, i cili sjell gjithmonë risi, shërbime të reja dhe fjalën e fundit të teknologjisë. Më 12 shtator, kompania Apple prezantoi zyrtarisht iPhone 17, i cili prej sot është i disponueshëm për t’u blerë nga konsumatorët. Çmimi i serisë së re varion sipas modelit dhe madhësisë së memories.

Modeli bazë i iPhone 17 kushton nga 799 deri në 999 dollarë, me një mesatare prej rreth 899 dollarësh. Për një shqiptar me të ardhura mesatare, kjo përkthehet në gati 1 muaj e disa ditë pune për ta blerë. Risia e këtij viti është iPhone 17 Air, një model krejtësisht i ri që lançohet për herë të parë dhe kushton mesatarisht 1199 dollarë çka i korrespondon gati 2 muaj pune për një pagë mesatare.

Ndërkohë, modelet më të shtrenjta mbeten iPhone 17 Pro dhe iPhone 17 Pro Max. Mesatarisht, iPhone 17 Pro kushton rreth 1424 dollarë, që përkthehet përsëri në rreth 2 muaj pune, ndërsa iPhone 17 Pro Max arrin deri në 1999 dollarë, duke kërkuar pothuajse 3 muaj pune për një shqiptar me të ardhura mesatare. Sigurisht, këto llogaritje ndryshojnë në varësi të nivelit të të ardhurave për ata me paga minimale do të duhej më shumë kohë, ndërsa për ata me paga mbi mesataren, më pak. Këto të dhëna janë vetëm nesë një person kursen pa llogaritur shpenzimet mujore. Gjithashtu shumë individë operojnë duke shitur modelin e vjetër dhe duke shtuar kosoton e diferencës, duke e pasur më të lehtë financiarisht blerjen. Sipas njoftimeve të Apple, shpërndarja e serisë së re do të vijojë në të gjithë botën, me data të përcaktuara për çdo treg. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat