FunData Postuar më 2 Prill 2026, 12:25

50-lekëshi, monedha e vetme që u falsifikua në 2025/ Minimum historik i kartëmonedhave false. U sekuestruan vetëm 107

Nga Xhorxhina Deda

50-lekëshi, monedha e vetme që u falsifikua në 2025/ Minimum

Në një vit kur në ekonominë shqiptare qarkulluan rreth 504 miliardë lekë, falsifikatorët lanë gjurmë minimale. Raporti i Bankës së Shqipërisë për vitin 2025 tregon se në qarkullim u sekuestruan vetëm 107 kartëmonedha të falsifikuara dhe 119 monedha metalike false, ndërsa niveli i falsifikimit të kartëmonedhave ra në minimum të ri historik, me vetëm 0.64 kartëmonedha false për 1 milion copë në qarkullim.

Sipas shifrave, falsifikimi i kartëmonedhave në qarkullim ka ardhur në ulje vit pas vit.

Detaji më interesant i raportit është te monedhat metalike. Duket se 50-lekëshi mbetet e vetmja monedhë e evidentuar si e falsifikuar. Në një treg ku qarkulluan rreth 311 milionë monedha metalike, falsifikimi i tyre rezulton, praktikisht, periferik.

Nga ana tjetër, në qarkullim ishin rreth 178 milionë kartëmonedha, me vlerë afro 496 miliardë lekë. Sipas shpërndarjes strukturore, pjesën më të madhe të kartëmonedhave të falsifikuara e përbëjnë prerjet 5,000 lekë, të ndjekura nga prerjet 2,000 lekë dhe 1,000 lekë

Sipas "Bankës së Shqipërisë", falsifikimet e identifikuara gjatë 2025-s janë riprodhime të thjeshta, të realizuara me pajisje digjitale komerciale, me ndërhyrje artizanale për të imituar elementet e dukshme të sigurisë. Elementet e sigurisë të lexueshme nga pajisjet autentifikuese nuk rezultojnë të jenë imituar në asnjë rast, çka konfirmon efektivitetin e teknologjive mbrojtëse të përdorura.

Në të njëjtën kohë, "Banka e Shqipërisë" përpunoi rreth 91.1 milionë kartëmonedha, duke kontrolluar autenticitetin dhe përshtatshmërinë e tyre për riqarkullim. Norma e papërshtatshmërisë mbeti 21.3%, ndërsa kartëmonedhat e dëmtuara u zëvendësuan sistematikisht.

Në krahasim me vitin 2024, numri i kartëmonedhave u rrit me rreth 17 milionë copë , ndërsa ai i monedhave metalike me 20 milionë copë. Rritja e numrit dhe e vlerës së kartëmonedhave në qarkullim tregon një zhvendosje së strukturës drejt prerjeve më të mëdha, kryesisht 5,000 dhe 10,000 lekë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat