Analiza Postuar më 1 Shtator 2025, 11:50

Të diplomuarit “shpëtojnë”, të tjerët ngecin në papunësi/ Të papunët afatgjatë në total ulen me rreth 3 mijë në harkun e një viti

Nga Xhorxhina Deda

Të diplomuarit “shpëtojnë”, të tjerët

Papunësia afatgjatë në Shqipëri ka zbritur lehtë gjatë vitit 2024, duke kaluar nga mbi 86 mijë persona në vitin 2023, në rreth 83 mijë një vit më pas. Në pamje të parë ky është një lajm pozitiv, por shifrat e detajuara tregojnë një realitet shumë më kompleks dhe në disa raste krejt të kundërt me pritshmëritë.

“Scan Intel” i ka analizuar në detaje të dhënat e papunësisë afatgjatë në varësi të arsimit dhe në sy bien individët me arsim bazë. Sipas shifrave, kjo kategori ka parë një rritje të papunësisë afatgjatë, nga 32.7 mijë në 33.5 mijë persona. Kjo do të thotë se sa më i ulët niveli arsimor, aq më i madh është rreziku për të mbetur gjatë pa punë, edhe kur tregu në përgjithësi lëviz në kah pozitiv.

Një situatë e dyzuar shfaqet tek të diplomuarit me arsim të mesëm. Tek të rinjtë e grupmoshës 25-29 vjeç, papunësia afatgjatë ka rënë ndjeshëm, me mbi 2.5 mijë persona më pak brenda një viti. Por në të kundërt, tek grupmosha 25-54 vjeç, që konsiderohet forca më aktive dhe produktive e tregut të punës, papunësia afatgjatë është rritur, duke kaluar nga 21.9 mijë në 22.7 mijë persona. Pra, të rinjtë arrijnë të hyjnë më lehtë në treg, ndërsa të rriturit me eksperiencë mbeten më gjatë jashtë tij.

Në kahun tjetër, individët me arsim të lartë rezultojnë fituesit e qetë të këtij ndryshimi. Papunësia afatgjatë për këtë kategori është ulur nga 13.8 mijë në 11.7 mijë persona, duke konfirmuar se diploma universitare mbetet një mburojë e fortë kundër ngecjes afatgjatë në papunësi.

Në tërësi, shifrat nuk tregojnë vetëm një rënie modeste të papunësisë afatgjatë, por mbi të gjitha një ndarje të qartë mes fituesve dhe humbësve të tregut të punës. Të rinjtë dhe të diplomuarit po arrijnë të gjejnë më lehtë vendin e tyre, ndërsa ata me arsim bazë dhe moshat më produktive të shoqërisë janë ata që mbeten më gjatë jashtë loje. Por duhet të kemi parasysh edhe faktorin e e migrimit të lartë të moshave të reja, i cili mund të ndikojë këtë shifër.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat