Analiza Postuar më 20 Gusht 2025, 10:58

Shqipëria kryeson fluturimet komerciale në korrik/ Të parët në kontinent me rreth 152% më shumë se përpara pandemisë

Nga Eldiona Serani

Shqipëria kryeson fluturimet komerciale në korrik/ Të parët

Turizmi në Shqipëri prej vitesh po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje, duke u kthyer në një ndër sektorët me zhvillimin më të shpejtë. Ky fakt pasqyrohet qartë edhe në rritjen e ndjeshme të numrit të fluturimeve komerciale, sidomos pas periudhës së pandemisë, ku ky treg ka njohur një zgjerim të jashtëzakonshëm. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë Evropiane të Statistikave për muajin korrik, numri i fluturimeve komerciale në Shqipëri është rritur me 151.7% krahasuar me periudhën para pandemisë, duke e renditur vendin tonë si shtetin me rritjen më të lartë të fluturimeve në të gjithë Europën për muajin që lamë pas.

Sa i përket vendeve të tjera të rajonit, pas Shqipërisë vjen Bosnje& Hercegovina me një rritje prej 64.4%, ndërsa Serbia ndjek me një rritje të konsiderueshme prej 34.3%. Ndërkohë, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar një rritje më të ulët, përkatësisht me 5.4% dhe 13.5%. Këto shifra tregojnë një rritje të interesit për udhëtime ajrore në Ballkan, megjithëse jo të njëtrajtshme në të gjitha vendet.

Në rang evropian, pas Shqipërisë që kryeson si vendi me rritjen më të madhe, vjen Islanda me një rritje prej 106.7% të fluturimeve komerciale krahasuar me të njëjtën periudhë para  para pandemisë. Më pas renditen sërish Bosnje& Hercegovina dhe Serbia, në vendin e tretë dhe të katërt, ndërsa në vend të pestë qëndron Qipro, një vend i cili po pret gjithnjë e më shumë vizitorë gjatë sezonit veror, falë pozicionit të tij si një destinacion i njohur për pushime bregdetare.

Megjithatë, jo të gjitha shtetet europiane kanë pasur të njëjtin rezultat pozitiv. Vende nordike kanë shënuar rënie në numrin e fluturimeve, çka lidhet edhe me faktin se gjatë muajve të verës, turistët preferojnë më shumë destinacionet me klimë të ngrohtë dhe plazhe. Konkretisht, ndër vendet që kanë pësuar rënie më të theksuar janë Finlanda me 20% më pak fluturime, Sllovenia me 22.2%, Suedia me 22.9% dhe Letonia me 30.7%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat