Bota Postuar më 20 Gusht 2025, 10:49

Kina, “burim” i magnetëve të rrallë - Eksportet arrijnë nivelin më të lartë gjashtëmujor në korrik

Nga Kristi Ceta

Kina, “burim” i magnetëve të rrallë - Eksportet

Eksportet kineze të magnetëve të tokës së rrallë u rritën ndjeshëm në korrik, duke arritur nivelin më të lartë në gjashtë muaj. Të dhënat pasqyrojnë se tregtia e këtyre mineraleve kritike për makinat elektrike është rikthyer në nivelet e mëparshme, para se Pekini të vendoste kufizime eksporti.

Sipas të dhënave të publikuara nga Administrata e Përgjithshme e Doganave të Kinës, eksportet u rritën me gati 75% krahasuar me qershorin, duke arritur në 5,577 tonë metrikë, sasia më e lartë për një muaj të vetëm që nga janari. Ky vëllim ishte gjithashtu 5.7% më i lartë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur u eksportuan 5,278 tonë.

Rritja e vazhdueshme e eksporteve erdhi pasi Kina arriti një sërë marrëveshjesh me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, për të shtuar dërgesat dhe për të lehtësuar kontrollet që u vendosën në prill si përgjigje ndaj tarifave amerikane.

Eksportet kishin rënë ndjeshëm në prill dhe maj për shkak të procedurave të gjata për marrjen e lejeve të eksportit, duke çrregulluar zinxhirët globalë të furnizimit dhe duke detyruar disa prodhues automjetesh jashtë Kinës të ndalonin përkohësisht prodhimin, për shkak të mungesës së metaleve të rralla.

Për sa u përket vendeve pritëse, Gjermania mbeti destinacioni kryesor i dërgesave, me një sasi prej 1,116 tonësh, një rritje prej 46% nga muaji i kaluar. Eksportet drejt Shteteve të Bashkuara u rritën gjithashtu me 75.5%, duke arritur në 619 tonë, që është 4.8% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit 2024.

Në total, gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, shitjet kineze të magnetëve të rrallë arritën në 27,897 tonë, ndërsa rënia vjetore u ngushtua në 15% nga 18.9% që ishte në gjysmën e parë të vitit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat