Analiza Postuar më 31 Korrik 2025, 11:56

Sektori turistik, në kulmin e investimeve/ Huadhënia për hotele dhe restorante shënon rekord

Nga Xhorxhina Deda

Sektori turistik, në kulmin e investimeve/ Huadhënia për hotele

Në muajin Qershor të vitit 2025, huatë e reja të dhëna për korporatat jofinanciare private u vlerësuan në 25.9 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 16.4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sektori që vijon të mbajë peshën më të lartë në financimin përmes kredive mbetet “Tregtia me shumicë dhe me pakicë; Riparimi i automjeteve”, me një shumë totale prej 10.85 miliardë lekësh, me një rritje prej 44.7% në terma vjetorë. Ky sektor përfaqëson mbi 42% të totalit të kredisë së dhënë për muajin, duke treguar një orientim të fortë të financimit në këtë drejtim.

Në vendin e dytë renditet “Industria përpunuese” me 3.4 miliardë lekë, me një prej 161% krahasuar me muajin Qershor të vitit të kaluar. Ndiqet nga “Ndërtimi”, i cili regjistroi një rënie të ndjeshme prej 48%, duke rënë nga 5.5 miliardë lekë në vetëm 2.8 miliardë lekë.

Ndër sektorët me rritjen më të lartë për këtë muaj spikat “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve”. Rritje të konsiderueshme shënuan gjithashtu “Arte, argëtim dhe çlodhje”, “Bujqësia, Pyjet, Peshkimi” dhe “Shërbime administrative dhe mbështetëse”

Ndërkohë, “Akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, që përfshin strukturat e mikpritjes dhe turizmit, ka shënuar një rekord historik me 1.3 miliardë lekë kredi të reja, një rritje prej 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë sektor në një muaj të vetëm, duke reflektuar përgatitjet intensive të industrisë së turizmit për sezonin veror dhe një besim në rritje për investime të reja. Vlera e muajit Qershor të këtij viti është më e larta nëse analizojmë të njetin muaj në një dekadë.

Sektorët tradicionalisht më pak të financuar janë “Arsimi” dhe “Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat