Analiza Postuar më 23 Qershor 2026, 11:36

Pse 725 mijë shqiptarë nuk punojnë? Studentët dhe detyrat shtëpiake dominojnë jashtë tregut të punës

Nga Xhorxhina Deda

Pse 725 mijë shqiptarë nuk punojnë?  Studentët dhe detyrat

Rreth një në katër shqiptarë në moshë pune vazhdon të mbetet jashtë tregut të punës, por të dhënat e vitit 2025 tregojnë se arsyeja kryesore nuk është papunësia apo mungesa e vendeve të punës. Studentët, pensionistët, personat me aftësi të kufizuara dhe detyrat familjare përbëjnë pjesën dërrmuese të popullsisë ekonomikisht joaktive.

Sipas të dhënave të Anketës së Forcave të Punës, gjatë vitit 2025 numri i personave ekonomikisht joaktivë zbriti në 725 mijë, nga 734 mijë një vit më parë. Në të njëjtën kohë, numri i të punësuarve u rrit lehtë në 1.17 milionë persona, ndërsa numri i të papunëve ra në rreth 107 mijë persona, kjo edhe për shkak të emigrimit.

Në total, 23.7% e popullsisë së grupmoshës 15-64 vjeç klasifikohet si ekonomikisht joaktive, pra persona që nuk punojnë dhe nuk janë duke kërkuar aktivisht punë.

Të dhënat tregojnë se grupi më i madh i kësaj popullsie përbëhet nga nxënësit dhe studentët, të cilët përfaqësojnë 41.2% të totalit. Më pas renditen personat që merren me detyra shtëpiake, me 18.5%, ata me paaftësi të përhershme me 14.7% dhe personat në pension ose pension të parakohshëm me 10.8%.

Një e dhënë interesante e raportit është se vetëm 1.2% e personave ekonomikisht joaktivë klasifikohen si të dekurajuar, pra individë që kanë hequr dorë nga kërkimi i një pune sepse besojnë se nuk ka mundësi të përshtatshme punësimi.

Të dhënat zbulojnë gjithashtu dallime të forta mes grave dhe burrave. Tek meshkujt ekonomikisht joaktivë, më shumë se gjysma, ose 53.1%, janë nxënës apo studentë, ndërsa vetëm 1.5% deklarojnë se merren me detyra shtëpiake.

Për gratë, panorama është krejtësisht ndryshe. Edhe pse nxënëset dhe studentet përbëjnë grupin më të madh me 34.5%, plot 28.1% e grave ekonomikisht joaktive qëndrojnë jashtë tregut të punës për shkak të detyrave shtëpiake dhe kujdesit për familjen. Kjo përqindje është gati 19 herë më e lartë se ajo e meshkujve dhe nxjerr në pah barrën disproporcionale që vazhdojnë të mbajnë gratë në punët e papaguara brenda familjes.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat