Analiza Postuar më 17 Shtator 2025, 11:14

Pijet energjike “na mbajnë në këmbë”/ Konsumojmë rreth 5 kanaçe për frymë në muaj nga importi. Viti 2024, rekord

Nga Xhorxhina Deda

Pijet energjike “na mbajnë në këmbë”/

Konsumi i pijeve energjike në Shqipëri ka marrë përmasa të mëdha dhe shifrat e importit të siguruara nga “Scan Intel” e dëshmojnë qartë këtë bum.  Vetëm gjatë viteve 2022-2024 në vend janë futur mbi 79 mijë tonë pije energjike, me një vlerë që i kalon 10.7 miliardë lekëve. Tendenca e rritjes është e pandalshme, duke kulmuar në vitin 2024 me pothuajse 30 mijë tonë të importuara, ndërsa vetëm për tetë muajt e parë të vitit 2025 shifra arrin në mbi 20 mijë tonë, një tregues se ky vit pritet të thyejë çdo rekord.

Në vitin 2022 u importuan rreth 21.9 mijë tonë, për një vlerë mbi 3.2 miliardë lekë. Vetëm një vit më pas, në 2023, sasia e importuar u rrit në 27.4 mijë tonë, ndërsa vlera financiare arriti në gati 3.7 miliardë lekë. Viti 2024 shënoi kulmin me 3.8 miliardë lekë, duke e kthyer tregun e pijeve energjike në një biznes të artë për kompanitë importuese. Nëse ritmi i vitit 2025 vazhdon si deri më tani, me 20 mijë tonë të importuara vetëm nga janari në gusht, pritet që ky vit të eklipsojë ndjeshëm vitet pararendëse.

Kur këto shifra përkthehen në konsum për frymë, tabloja bëhet edhe më domethënëse. Duke marrë në konsideratë një popullsi prej rreth 2 milionë banorësh mbi moshën 18 vjeç, rezulton se në vitin 2024 çdo shqiptar ka konsumuar mesatarisht 14.9 litra pije energjike, që do të thotë rreth 60 kanaçe prej 250 ml në vit, ose afërsisht 5 kanaçe në muaj. Kjo mesatare fsheh edhe kulme të forta sezonale, në gusht 2024, për shembull, konsumi për frymë shkoi deri në 9 kanaçe në muaj, duke e shndërruar verën në periudhën e artë të tregut të pijeve energjike.

Krahasuar me vitin 2022, kur konsumi për frymë ishte rreth 11 litra ose 44 kanaçe në vit, rritja është e qartë dhe e shpejtë. Brenda tre vjetëve, shqiptarët kanë kaluar nga rreth 44 kanaçe në vit për person, në 60 kanaçe në vit, duke treguar një prirje që nuk njeh ngopje. Vetëm për tetë muajt e parë të vitit 2025, konsumi për frymë tashmë ka arritur mbi 10 kilogramë, që përkthehet në më shumë se 40 kanaçe për person.

Theksojmë se këto janë vetëm produkte importi, pasi konsumi mund të jetë edhe më i lartë duke qenë se ka kompani që prodhojnë pije energjike në vendin tonë.

Sipas EFSA (Bashkimi Europian), ka një grup të konsumuesve “high chronic” në Europë që konsumojnë mesatarisht 7 litra në muaj. Ndërkohë, studime tegojnë se konsumi është veçanërisht i përhapur tek adoleshentët dhe të rinjtë.

Sipas Kërkimit të Tregut Kognitiv, madhësia e tregut global të Pijeve Energjike u vlerësua në 61.5 miliardë dollarë amerikanë, nga të cilat Europa mbante tregun prej rreth 30% të të ardhurave globale me një madhësi tregu prej 18.4 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2024 dhe do të rritet me një normë vjetore të përbërë rritjeje (CAGR) prej 7.3% nga viti 2024 deri në vitin 2031. Rajoni europian përfaqëson një treg të rëndësishëm për pijet energjike, i karakterizuar nga një bazë e larmishme konsumatorësh dhe modele konsumi në zhvillim (kliko këtu për të dhënat).

Shqipëria po ecën me kafeinë, por dilema që mbetet është nëse kjo energji e përkohshme do të na mbajë vërtet në këmbë, apo do të na rrëzojë më shpejt se sa mendojmë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat