Analiza Postuar më 28 Maj 2026, 12:18

Ndërmarrjet dyfishojnë “borxhet” për blerje pajisjesh/ Kredia e re në Prill zhvendoset drejt investimeve dhe zgjerimit të aktivitetit

Nga Xhorxhina Deda

Ndërmarrjet dyfishojnë “borxhet” për blerje

Kredia e re për biznesin ka shënuar rritje të fortë në muajin prill, e mbështetur kryesisht nga financimi për pajisje, kapital qarkullues dhe pasuri të paluajtshme. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, korporatat jofinanciare private përfituan 25.5 miliardë lekë kredi të re në prill 2026, nga 20.5 miliardë lekë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, me një rritje prej rreth 24.7%.

Rritja më e fortë është regjistruar te kreditë për blerje pajisjesh, të cilat arritën në rreth 4.35 miliardë lekë, nga 2.09 miliardë lekë një vit më parë. Kjo përkthehet në një zgjerim prej më shumë se dyfish, duke treguar se një pjesë e bizneseve po orientohen drejt investimeve për zgjerim apo modernizim të aktivitetit.

Edhe financimi për kapital qarkullues ka shënuar rritje të ndjeshme. Në prill 2026, kreditë për këtë qëllim arritën në rreth 5.72 miliardë lekë, nga 4.42 miliardë lekë në prill 2025, ose rreth 29% më shumë. Ky segment lidhet drejtpërdrejt me nevojat e përditshme të bizneseve për likuiditet dhe vijimësi të aktivitetit.

Ndërkohë, kreditë për pasuri të paluajtshme arritën në rreth 4.56 miliardë lekë, nga 4.11 miliardë lekë një vit më parë, duke shënuar një rritje prej afro 11%. Kjo tregon se investimet e lidhura me pronat dhe asetet afatgjata vijojnë të mbeten një drejtim i rëndësishëm i financimit për bizneset.

Pjesën më të madhe të kredisë së re vijojnë ta mbajnë overdraft-et, të cilat arritën në rreth 10.9 miliardë lekë, nga 9.85 miliardë lekë në prill 2025, me një rritje prej rreth 10.6%. Megjithatë, ritmi i tyre është më i ulët se ai i kredive për pajisje dhe kapital qarkullues.

Në tërësi, të dhënat tregojnë se rritja e kredisë për biznesin në prill nuk është mbështetur vetëm te financimi afatshkurtër, por edhe te segmentet që lidhen me investime dhe zgjerim aktiviteti. Kjo e bën strukturën e huadhënies më pozitive, pasi rritja nuk vjen thjesht nga nevoja për likuiditet, por edhe nga kërkesa për financim zhvillimor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat