Shqipëria Postuar më 28 Maj 2026, 12:31

Kursimet “rikthehen” në banka në prill/ BSH: Depozitat u rritën lehtë në 1.5 trilionë lekë pas luhatjeve të muajve të parë të vitit

Nga Ledina Elezi

Kursimet “rikthehen” në banka në prill/ BSH: Depozitat u

Prilli solli një rritje të lehtë të kursimeve në banka, pas luhatjeve të muajve të parë të vitit. Të dhënat tregojnë se shqiptarët kanë shtuar sërish depozitat e tyre, duke mbajtur nivele të larta kursimesh në sistemin bankar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill, totali i depozitave arriti në rreth 1.50 trilionë lekë.

Krahasuar me marsin, kjo përkthehet në një rritje të lehtë, me rreth 0.5%. Pra, pas tkurrjes së muajit mars, shqiptarët duket se kanë rikthyer sërish një pjesë të kursimeve në banka, duke ruajtur nivele të larta depozitash në sistem.

Pjesa më e madhe vazhdon të jetë në lekë dhe gjatë prillit ka shënuar një rritje. Depozitat në monedhën vendase u shtuan me rreth 10 miliardë lekë gjatë muajit. Rritja vërehet sidomos te llogaritë rrjedhëse, që janë ato para që qytetarët i përdorin më shpesh për pagesa dhe shpenzime. Kjo tregon se likuiditeti në ekonomi vijon të mbetet i lartë.

Ndërkohë, depozitat në valutë (si euro apo dollarë) kanë rënë lehtë, me rreth 2 miliardë lekë. Megjithatë, nuk ka ndonjë ndryshim të madh në preferencat e qytetarëve, ata vazhdojnë t’i mbajnë kursimet në të njëjtën mënyrë si më parë, pa lëvizje të forta nga një monedhë në tjetrën.

Nëse shohim kush kursen më shumë, familjet dhe individët mbeten sërish grupi kryesor. Ata mbajnë pjesën më të madhe të depozitave në banka. Edhe pse ka disa luhatje të vogla nga një muaj në tjetrin, kursimet e tyre mbeten në nivele të larta. Nga ana tjetër, bizneset po lëvizin më shpesh paratë e tyre, që lidhet me aktivitetin ekonomik dhe pagesat që kryejnë.

Në përgjithësi, prilli tregon një rikthim të lehtë të rritjes së depozitave pas dobësimit të mëparshëm. Nuk kemi të bëjmë me një rritje të fortë, por me një stabilizim të situatës. Niveli i depozitave mbetet i lartë, çka është një shenjë pozitive për stabilitetin e sistemit bankar dhe për faktin që qytetarët dhe bizneset ende kanë një bazë të qëndrueshme kursimesh.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat