Analiza Postuar më 6 Prill 2026, 12:38

Ku i merr Shqipëria perimet? Gjermania dhe Greqia furnizuesit kryesorë. Importe në nivele rekord në shkurt

Nga Scan TV

Ku i merr Shqipëria perimet? Gjermania dhe Greqia furnizuesit

Importet e zarzavateve në Shqipëri vijojnë të mbeten në nivele të larta, duke reflektuar një varësi të qëndrueshme nga tregjet e huaja për furnizimin me produkte bazë ushqimore. Të dhënat më të fundit tregojnë se muaji shkurt 2026 shënoi një nga nivelet më të larta historike, si në vlerë ashtu edhe në sasi.

Në total, gjatë shkurtit 2026 u importuan rreth 9.1 mijë tonë zarzavate, me një vlerë prej afro 578 milionë lekësh. Ky nivel e rendit muajin shkurt 2026 si të tretin më të lartë që nga janari i vitit 2005, duke konfirmuar një trend në rritje të importeve në këtë sektor.

Krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, importet paraqiten në rritje si në vlerë ashtu edhe në sasi.

Rritja e importeve në muajt e dimrit lidhet kryesisht me mungesën sezonale të prodhimit vendas, duke detyruar tregun të mbështetet më shumë në furnizimet nga jashtë.

Por cilat janë vendet kryesore nga ku furnizohet Shqipëria?

Sa i përket origjinës së importeve, tregu shqiptar i zarzavateve mbështetet kryesisht te disa vende europiane dhe rajonale. Në muajin shkurt të këtij viti, Gjermania rezulton furnizuesi kryesor, me importe me vlerë 147.4 milionë lekë, ose rreth 25.5% të totalit. Në vend të dytë renditet Greqia, me 113.9 milionë lekë, që përbën afro 19.7% të totalit. Më pas vijnë Holanda me 64.3 milionë lekë dhe Turqia me 63.5 milionë lekë, ndërsa Serbia mban vendin e pestë me 44.5 milionë lekë. Këto pesë tregje përbëjnë së bashku rreth 75% të vlerës totale të importeve të zarzavateve në muajin shkurt.

Në shkurt 2026, çmimi mesatar i importit të zarzavateve rezulton rreth 63.5 lekë për kilogram, por në treg produktet u shitën shumë më shtrenjtë. Sipas INSTAT, domatja arriti në 202.5 lekë/kg, speci në 260.3 lekë/kg dhe kastraveci në 237.5 lekë/kg, të gjitha në rritje krahasuar me janarin. Kjo tregon se, përtej kostos së importit, çmimi final për konsumatorin rëndohet edhe nga zinxhiri i tregtimit deri në daljen e produktit në treg.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat