Shqipëria Postuar më 6 Prill 2026, 12:04

KESH importoi energji gjatë gjithë vitit 2025 - Fatura për blerje arriti 272.2 mln euro. Nga shitja u gjeneruan 6.7 mln euro 

Nga Ola Mitre

KESH importoi energji gjatë gjithë vitit 2025 - Fatura për blerje

Fatura totale për blerje energjie arriti në 272.2 mln euro me TVSH, në vitin 2025 sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë. Në total, gjatë gjithë vitit Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bleu 1,813,145 mWh energji, me një çmim mesatar prej 127.55 euro/mWh.  

Blerjet kanë qenë të shpërndara përgjatë vitit, por me një intensitet më të lartë në muajt e verës. Konkretisht, në muajin korrik dhe gusht janë regjistruar edhe volumet më të mëdha, përkatësisht mbi 346 mijë mWh dhe 363 mijë mWh.

Në fillim të vitit, çmimet kanë qenë relativisht më të larta, duke arritur deri në 157.7 euro/mWh në shkurt, ndërsa më pas kanë pësuar një rënie graduale, duke zbritur në rreth 110–125 euro/mWh gjatë muajve të verës dhe vjeshtës.

Në krahun tjetër, të dhënat për shitjen e energjisë nga KESH tregojnë një aktivitet më të kufizuar. Për gjithë vitin janë shitur vetëm 56,699 mWh, me një çmim mesatar prej 98.3 euro/mWh, duke gjeneruar të ardhura totale prej rreth 6.7 mln euro me TVSH. Shitjet janë realizuar vetëm në muajt tetor dhe nëntor.

Kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me varësinë e lartë të vendit nga prodhimi hidroenergjetik, i cili ndikohet nga kushtet hidrike dhe reshjet. Në periudhat me thatësirë apo me nivele të ulëta të prurjeve në kaskadën e Drinit, vendi detyrohet të rrisë importet për të garantuar furnizimin, ndërsa mundësitë për shitje mbeten të kufizuara dhe të varura nga tepricat e përkohshme të prodhimit.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat