Analiza Postuar më 1 Prill 2026, 11:22

Bizneset kërkuan më shumë para’ për prona/ Likuiditeti dhe pasuritë e paluajtshme dominuan huamarrjen

Nga Xhorxhina Deda

Bizneset kërkuan më shumë para’ për prona/ Likuiditeti

Bizneset në Shqipëri e nisën vitin 2026 duke u financuar kryesisht për nevoja afatshkurtra likuiditeti dhe për pasuri të paluajtshme. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, huaja e re për korporatat jofinanciare private arriti në 40.05 miliardë lekë në periudhën janar-shkurt, me një rritje prej 7.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Peshën kryesore e mbajtën overdraftet, që arritën në rreth 20.96 miliardë lekë në dy muajt e parë të vitit. Kjo kategori zë rreth 52.3% të gjithë huasë së re për biznesin, duke mbetur forma dominuese e financimit. Pas tyre renditen kreditë për pasuri të paluajtshme, me 9.10 miliardë lekë ose rreth 22.7% të totalit, më pas kapitali qarkullues me 6.39 miliardë lekë ose 16%, dhe kreditë për blerje pajisjesh me 3.59 miliardë lekë, ose afro 9%. Për çelje biznesi nuk rezulton asnjë hua e re në këtë periudhë.

Në krahasim me fillimin e vitit të kaluar, rritja më e fortë është shënuar te kreditë për pasuri të paluajtshme, që u zgjeruan me rreth 23.4%, duke u rritur me afro 1.72 miliardë lekë. Edhe huatë për blerje pajisjesh u rritën me rreth 14.6%, ndërsa kreditë për kapital qarkullues u zgjeruan me rreth 4.2%. Nga ana tjetër, overdrafti mbeti pothuajse në të njëjtat nivele, me një rritje të lehtë prej rreth 1.6%. Kjo tregon se zgjerimi i kredisë në fillimvit nuk u mbështet vetëm te financimi afatshkurtër, por edhe te ekspozimi më i lartë i bizneseve ndaj pasurive të paluajtshme dhe investimeve në pajisje.

Një tjetër zhvillim i dukshëm është zhvendosja e kredisë drejt valutës. Huatë e reja në euro arritën në 18.49 miliardë lekë dhe mbetën zëri më i madh sipas monedhës, ndërsa kreditë në dollarë u rritën ndjeshëm në 4.28 miliardë lekë. Në total, financimi në valutë zuri rreth 56.8% të huasë së re për biznesin, kundrejt 43.2% për kreditë në lekë. Kjo tregon se në fillim të vitit bizneset janë mbështetur më shumë te financimi në monedhë të huaj sesa te ai në valutën vendase.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat