FunData Postuar më 1 Prill 2026, 10:53

Holanda “e vogël” në numër, por e madhe në treg/ Rreth 92 kompani mbajnë 9.2% të shitjeve nga bizneset e huaja

Nga Xhorxhina Deda

Holanda “e vogël” në numër, por e madhe në treg/

Në pamje të parë, tabloja e biznesit të huaj në Shqipëri tregon se Italia dominon bindshëm. Ajo ka numrin më të lartë të ndërmarrjeve me pronësi apo bashkëpronësi të huaj në vend dhe mban peshën kryesore në punësim e në shitje. Por, të dhënat përtej renditjes së thjeshtë sipas numrit të kompanive tregojnë një tjetër histori, atë të Holandës.

Sipas raportit të INSTAT për ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta në Shqipëri operonin 92 ndërmarrje me kapital holandez, ndërkohë ndërmarrjet italiane ishin 2,930. Diferenca është e madhe, pothuajse dërrmuese në numër. Megjithatë, kur vjen puna te shitjet neto, pesha e Holandës rezulton shumë më e lartë sesa do të pritej nga kjo prani relativisht e kufizuar. Kompanitë holandeze zënë 9.2% të shitjeve neto të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, ndërsa Italia 25.6%.

Kjo do të thotë se Holanda nuk po dallohet në Shqipëri për shtrirje të gjerë, por për përqendrim në ndërmarrje me peshë të lartë ekonomike. Me vetëm 92 kompani, ajo arrin të mbajë një pjesë të ndjeshme të shitjeve neto në këtë segment të ekonomisë.

Ky kontrast bëhet edhe më i qartë kur krahasohen dy treguesit kryesorë. Holanda mban 5.6% të punësimit në ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkët. Pra, pjesa e saj në të ardhurat e gjeneruara është dukshëm më e lartë sesa pjesa në punësim. Kjo sugjeron një profil biznesi më të përqendruar në aktivitete me vlerë të lartë ose kompani me volum më të madh qarkullimi.

Ky profil nuk del vetëm te shitjet. Edhe në investimet direkte, Hollanda renditet në krye të stokut të investimeve të huaja në Shqipëri në fund të vitit 2025, me 2.7 miliardë euro. Kjo e forcon më tej idenë se prania holandeze në ekonomi nuk është e gjerë në numër, por e përqendruar në kapitale të mëdha dhe në aktivitete me peshë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat